Live From Tirana

U largua nga “Përputhen”, Genti Ndoj: “Më ka mësuar shumë, takimet ishin eksperienca të bukura…”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Gentian Ndoj, ish-konkurrent i “Përputhen”. Ai ka folur më shumë mbi vendimin për t’u larguar nga ky program, çfarë do t’i mungojë më shumë, si dhe çfarë po kërkon ai tashmë nga një lidhje e re dashurie…

Si ndihesh tani që ke lënë “Përputhen”, ndihesh i lehtësuar apo do të të mungojë ai program?

Unë kam kaluar 8 muaj atje dhe normalisht që më mungon ajo përditshmëria atje, njerëzit. U mësuam me njëri-tjetrin, me konkurrentët, me opinionistët, me moderatoren. U bëmë të gjithë si familje, si grup dhe më mungon disi. Por prapë, duke pasur një ngarkesë të madhe në karrierë dhe punë, m’u desh pak shkëputje, pak qetësi, për të reflektuar me veten shumë gjëra.

Çfarë mësove gjatë këtyre 8 muajve? Çfarë ndryshoi në jetën tënde?

Jam bërë një njeri më social, nuk kam qenë kështu. Edhe pse kam qenë një nga djemtë më të mbyllur aty, prapë jam liruar goxha. Të jem një njeri pa komplekse, të jem një njeri që nëse e mendoj diçka, duhet ta them ashtu siç e mendoj, të kem lirinë ta them, edhe pse ndoshta mund të duket e çuditshme për njerëzit, të jetë e drejtë për mua. Më ka mësuar si të jem edhe në raport me vajzat. Më ka mësuar të jem më çiltër, më ka mësuar që ta shijoj, sepse ne i kemi shijuar goxha takimet me vajzat aty. Kemi pasur vende të ndryshme takimi dhe kanë qenë shumë eksperienca të bukura.