Jenna Ortega zbuloi se çfarë përpiqet të shmangë ndërsa është akoma pjesë e Hollywoodit. Së fundmi aktorja u shfaq në kopertinën e Vogue Mexico dhe në intervistë ka folur për fëmijërinë si dhe për kohën kur u bë e famshme. Ajo theksoi se në fillim të karrierës së saj nuk ndihej e vlerësuar. “Të jesh e re dhe e vendosur është shumë e vështirë për shumë njerëz, si grua. Gjithmonë e kam ditur se si është të mos kesh zë dhe kjo më tmerron. Nuk dua ta gjej veten përsëri në atë situatë. Është e rëndësishme për mua ta përdor zërin tim në mënyrën më profesionale dhe efektive të mundshme. Për pjesën më të madhe të karrierës sime, nuk dija si ta shprehja veten”-tha ajo.
Siç shpjegon më tej, ishte shumë e re dhe nuk dinte pothuajse asgjë për industrinë e filmit. “Ndoshta për shkak të disa përvojave profesionale që kam pasur në të kaluarën, të cilat kanë qenë pak më të vështira. U mbylla në vetvete dhe u bëra shumë e pasigurt”-pohon ajo. Ortega shpjegon më tej se mjedisi i punës duhet të jetë gjithmonë një përvojë bashkëpunuese. Puna më e mirë shpesh vjen nga idetë e një grupi njerëzish dhe një vizion kolektiv. Gjithashtu tregoi se fama ka ndryshuar mënyrën se si ajo ia paraqet veten botës, duke e inkurajuar të bëhet një person më i kujdesshëm.
Ortega, po shënon një rritje të jashtëzakonshme në karrierë dhe financa. Aktorja filloi të njihej që fëmijë me rolet e saj në “Jane the Virgin” dhe “Stuck in the Middle” të Disney-t, por fama ndërkombëtare erdhi me interpretimin e saj në serialin e Netflix-it “Wednesday”, ku fitoi rreth 250 mijë dollarë për episod në sezonin e parë, duke kaluar mbi 2 milionë dollarë gjithsej.