Aktorja e njohur amerikane, Jenna Ortega, ka shprehur hapur admirimin e saj për popullin palestinez, duke i cilësuar si “heronjtë e saj” për guximin dhe qëndresën që tregojnë përballë vështirësive dhe indiferencës ndërkombëtare.
Në një intervistë për revistën franceze “Gala”, Ortega u pyet se kush ishte heroi i saj në ditët e sotme. Fillimisht ajo përmendi nënën e saj si burim frymëzimi, por më pas foli me emocion për lidhjen e saj me kauzën palestineze.
I dua njerëzit e Palestinës dhe mënyrën se si ata vazhdojnë ta përdorin zërin e tyre, pavarësisht se sa shumë bota i injoron. Për mua, ata janë heronj
-u shpreh Ortega.
Aktorja shtoi se ndjen përgjegjësi për të ngritur zërin dhe për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjen palestineze.
Mbështetja e saj për këtë kauzë nuk është e re — në vitin 2023, ajo u përfshi në lajme pas largimit nga filmi “Scream 7”, menjëherë pasi kolegia e saj, Melissa Barrera, u shkarkua për postimet pro-Palestinë.
Edhe pse arsyeja zyrtare ishte angazhimi i saj në serialin “Wednesday”, shumë media e interpretuan vendimin si një akt solidariteti.
Deklaratat e fundit të Jenna Ortega-s kanë ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rihapur debatin mbi rolin dhe përgjegjësinë e figurave publike në çështje ndërkombëtare.