Bota

U tha se e vrau ariu, zbulohet kush fshihej pas vdekjes së të moshuarit japonez!

Policia japoneze ka arritur të zbulojë se një burrë i moshuar, për të cilin dyshohej se ishte vrarë nga një ari, në fakt ishte therur për vdekje nga djali i tij. Fujiyuki Shindo, 51 vjeç, u arrestua në prefekturën e Akitës nën dyshimin e vrasjes së babait të tij 93-vjeçar Fujiyoshi. Policia e kishte cilësuar vdekjen e të moshuarit si të shkaktuar nga një kafshë e egër, por më pas hetuesit arritën në përfundimin se plagët ishin më të ngjashme me ato të shkaktuara nga thika.

Shfaqja e arinjve është bërë gjithnjë e më të zakonshme në Japoninë veriore, ku popullata në plakje dhe tkurrja e tokave bujqësore ka bërë që kafshët të zgjerojnë habitatin e tyre më afër zonave të banuara. Fillimisht u supozua se arinjtë ishin fajtorë për vdekjen e Fujiyoshi Shindo, sepse Japonia ka parë një numër në rritje të sulmeve të arinjve vitet e fundit. Në 12 muaj, deri në mars 2024, një numër rekord prej 219 personash u sulmuan nga arinjtë dhe gjashtë prej tyre vdiqën, tha Ministria e Mjedisit e Japonisë.