Forcat ukrainase kryen sulme me dronë e raketa ndaj dy qyteteve në pjesët e pushtuara të rajonit lindor të Ukrainës, Donjeck. Dy persona u vranë dhe 16 u plagosën.
Forcat ukrainase goditën shënjestrat në Donjeck e në Makivka, qytet industrial në veri të rajonit të Donjeckut.
Zyrtarë të sigurisë në zonat e pushtuara raportuan se të paktën 20 dronë u përdorën në dy sulme dhe se njësitë e mbrojtjes ajrore u aktivizuan. Agjencitë ruse të lajmeve cituan zyrtarët që thanë se shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin Donjeck.
Një objekt banimi në Makivka u godit nga një dron dhe videot në rrjete sociale shfaqën sulme me raketa, përfshirë ndaj një fabrike të dikurshme të sistemeve ushtarake të mbikëqyrjes në Donjeck. Zyrtarët ukrainas nuk i kanë komentuar këto sulme.
Forcat ruse kontrollojnë rreth 75% të rajonit të Donjeckut e po bëjnë përpjeke ta pushtojnë edhe pjesën e mbetur të tij. Në mbrëmje, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse po i përqendrojnë sulmet e tyre kundër sektorit energjetik ukrainas.
Këshilltari kryesor i Zelensky-t, Andriy Yermak, bëri të ditur se ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me sulmet ruse ndaj qyteteve dhe godinave të banimit në Ukrainë. Gjithashtu, ai mori pjesë në një videokonferencë me këshilltarët e sigurisë kombëtare të Britanisë, Gjermanisë, Italisë e Francës për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Yermak shtoi se qëndrimi i Ukrainës përballë agresionit rus duhet të forcohet pas sulmit ndaj një ndërtese qeveritare gjatë fundjavës, e goditur gjatë sulmit më të madh ajror rus ndaj Ukrainës. Kjo ishte hera e parë që nga nisja e pushtimit të plotë në shkurt 2022 që forcat ruse goditën një ndërtesë qeveritare në Kiev.
Putin e kupton vetëm forcën, nuk dëshiron të ndalojë luftën. Eshtë e nevojshme të vazhdojë presioni ndaj Federatës Ruse, shkroi Yermak në Telegram. Mbështetje shtesë për Ukrainën, sidomos mbrojtje ajrore dhe sanksione shtesë ndaj Rusisë, u diskutuan me këshilltarët europianë.
Presidenti amerikan, Donald Trump shprehet i gatshëm të kalojë në fazën e dytë të sanksioneve ndaj Rusisë. I dërguari i BE-së për sanksionet ndodhet në Uashington me një ekip ekspertësh për të diskutuar hapat e parë të koordinuar mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, që nga kthimi i Trumpit në detyrë.
Trump, i cili kur mori detyrën në janar premtoi se do ta përfundonte shpejt luftën, ka vendosur disa herë afate për Moskën që ta pranonte armëpushimin ose të përballej me sanksione më të ashpra, por është tërhequr nga kërcënimi çdo herë.