Aktualitet Politikë

Ultimatum kryebashkiakëve, Rama: Shkarkoni kryetarët e njësive administrative!

Nga takimi në Durrës me kryebashkiakët, kryeministri Edi Rama iu kërkoi largimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative në mbarë vendin. Afati për këtë është deri më 14 korrik.

Faleminderit dhe shpresoj që ditën e hënë të gjithë kryetarët e njësive administrative të jenë të shkarkuar.

Me tone të forta kritike, adresoi performancën e pushtetit vendor, duke theksuar se “nuk ka më vend për justifikime në mandatin aktual”. Në vëmendje solli shembullin e Bashkisë së Cërrikut, që përpunon mbetjet e fshatit dhe i kthen në produkte që shiten, duke e cilësuar “model inovativ që duhet të ndiqet nga të gjitha bashkitë”.

Rama kritikoi disa njësi vendore që presin fonde nga qeveria, kur sipas tij, kanë mundësi të zhvillojnë projekte vetëgjeneruese për komunitetin. Ndër të tjera deklaroi se nuk do ketë asnjë tolerim për strukturat vendore që braktisin misionin e tyre dhe nuk u shërbejnë qytetarëve.

Të zgjedhurve vendorë iu bëri thirrje të hapin sytë e t’u rrinë në kokë punëve të tyre. Më tej, vuri në dukje se duhet të jenë kryetarët e bashkive dhe strukturat e tyre, që t’ju vijnë në ndihmë qytetarëve për “Paketën e Maleve”.

Duhet t’u thoni hajde se do t’ju ndihmojmë ne. Eshtë bërë një paketë, që është më e thjeshta e mundshme. Ju mjafton një vërtetim nga këshilli bashkiak se kjo tokë është e kësaj familjeje e nuk ka kontestim dhe marrin lejen e ndërtimit. Në momentin kur e ndërtojnë bujtinën, fermën, marrin edhe hipotekën.

Këto të gjitha kërkojnë një rol proaktiv të bashkive, që gjërat, projektet, iniciativat e qeverisë, gatishmëria e qeverisë për të mbështetur njerëzit, të mos trajtohen si bar i varrezave të Elbasanit. Bari i varrezave të Elbasanit ka potencialin të bëhet kallam dhe të bëjnë varrezat si kallamishte. Bari është lënë pa u prerë. Nëse bari është i qethur siç duhet, zjarri nuk merr qiellin.

E pakonceptueshme, që të ndodhin gjëra që do t’i faleshin kryetarit të bashkisë së Elbasanit, nëse Elbasani do ishte sa Shangai. Një qytet që mund ta përshkosh në këmbë cep më cep dhe mos të dijë kryetari i bashkisë se çfarë ndodh, mos të jetë i informuar për çdo tullë që vihet në qytet, është e pamundur.

Në Elbasan dhe Lushnjë duhet bërë e njëjta gjë, si në bashkitë ku deri tani është bërë pezullimi i plotë dhe shkarkimi i drejtorëve me dorëheqje për t’ju dhënë mundësinë atyre e të tjerëve të provojnë se janë për atë post.

Duhet shkundur e gjithë kjo pemë. Janë 10 mandate në Elbasan kryetar, janë një barrë që po të them mua personalisht, bashkë me 12 mandatet e Fierit, 9 në Vlorë, më ka marrë edhe ato orë që flija gjumë. Duhet të të lënë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë. Nuk jemi më të fortë, jemi më të ekspozuar karshi përgjegjësisë dhe njerëzve që na i kanë dhënë këto mandate dhe duan dhjetëfishin nga ne.

Po ashtu, kryeministri Rama njoftoi se do të ngrihet Qendër Monitorimi Digjitale për ndërtimet pa leje. Po ashtu, komentoi sërish rastin e ndërtimit pa leje në Theth.

Rreth 40 denoncime janë bërë nga Policia e Shtetit për këto ndërtime. Në një aspekt, Policia e Shtetit ka funksionuar, ka denoncuar ndërtimet pa leje në Prokurori e siç është bërë e ditur në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuar një ngrehinë, por një fshat i tërë turistik, në mes të Thethit, një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe ka bërë një ese filozofike me pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërtimi pa leje është vepër penale.