Design Lifestyle

Zbulohen ndërtesat 8500-vjeçare!

Arkeologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë zbuluar disa ndërtesa, që deri më tani konsiderohen më të vjetrat e gjetura në këtë vend dhe datojnë të paktën 8500 vjet më parë. Këto ndërtesa ndodhen në ishullin Ghagha, në perëndim të qytetit të Abu Dhabi-t. Në njoftimin e Departamentit të Kulturës dhe Turizmit të Abu Dhabi-t thuhej se:

Strukturat që janë zbuluar ngjasojnë me disa dhoma të thjeshta e të rrumbullakëta, të cilat kanë mure guri në një lartësi prej gati një metri.

Ekipi, tha në deklaratë, se mbetjet arkeologjike, kanë qenë me gjasë shtëpia të një komuniteti të vogël që mund të ketë jetuar në këtë ishull dhe merrej me gjueti e peshkim.

Së bashku me këto vendbanime neolitike, u zbuluan gjithashtu qindra artefakte, mes tyre maja shigjetash prej guri të punuara imët që përdoreshin për gjueti. Gjithashtu, brenda një prej strukturave të zbuluara, u gjet edhe një trup i varrosur që daton rreth 5000 vjet më parë. Rekordi i mëparshëm për zbulimet më të vjetra në Emiratet e Bashkuara Arabe, u vendos në vitin 2017, kur u zbulua perla më e vjetër në botë në brigjet e Abu Dhabi-t.

Rikujtojmë se së fundmi arkeologët kanë zbuluar një rrjet rrugësh 4,500-vjeçare të ruajtura mirë në Arabinë Saudite që lidhnin varret e lashta. Studiuesit në Universitetin e Australisë Perëndimore kanë kryer kërkime të gjera gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë sondazhe ajrore të kryera me helikopter, sondazhe tokësore, gërmime dhe ekzaminime të imazheve satelitore.