Aktualitet

Alqi Bllako në arrest shtëpie, lirohet nga burgu!

Ish-deputeti Alqi Bllako është liruar nga burgu, pasi gjykata pranoi zëvendësimin e masës në arrest shtëpie. Si ish-zyrtar që përfaqësonte nivelin më të lartë të  nëpunësit civil në Ministrinë e Mjedisit, Bllako dyshohet për korrupsion pasi SPAK këmbëngul se ai jo vetëm u implikua gjatë procedurave për inceneratorin, por dhe firmosi shkresa që tjetërsuan truallin në Fier.

Gjithashtu, babai i tij u punësua si drejtor i këtij kantieri që Prokuroria e Posaçme e konsideron një formë korrupsioni të sofistikuar. Gjatë seancës së fundit gjyqësore të mbajtur në maj të këtij viti, ai këmbënguli në të njëjtin version të pohuar më herët për pafajësi, moskompetencë për të firmosur shkresa dhe se nuk kishte asnjë mundësi ndikimi për vendimmarrjen për inceneratorin,  pasi në atë kohë, siç tha, “ka qenë i punësuar në Presidencë”.

Bllako gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se nuk ka firmosur shkresa të tilla pasi nuk e ka pasur nën kompetencë. Ish-deputeti Bllako është vendosur njëherazi dhe nën hetim pasuror ashtu sikurse ish eprori i tij Lefter Koka, që pret në paraburgim mbylljen e hetimeve, megjithëse ka dorëzuar disa shkresa për të lënë qelinë.