Aktualitet

Apeli i GJKKO-së vendos për qëndrimin në qeli të Lefter Kokës!

Lefter Koka do të qëndrojë në qeli edhe për çështjen e inceneratorit të Fierit, tashmë me dy masa sigurie “Arrest me burg”. Vendimin e mori sot Apeli i GJKKO-së, Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar. Ndërkohë, ish-ministri i Mjedisit kërkoi masë më të butë sigurie, me pretendimin se respektoi ligjin e nuk kreu shkelje në koncesionin për ndërtimin e inceneratorit. Masat u lanë në fuqi edhe për të akuzuarit e tjerë: Arenc Myrtezani, Sabina Cenameri, Pëllumb Abeshi e Etleva Kondi.

Dje në një deklaratë, avokatët e Kokës kundërshtuan dhënien e një mase të dytë sigurie nga gjykata. SPAK-u e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, duke përfituar 3.7 milion euro lidhur me dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Me provat e deritanishme, gjithashtu hetuesit kanë arritur të faktojnë se ish-ministri Koka ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në vlerën 1.2 milion euro. Sipas SPAK-ut, në total janë rreth 5 milion euro nga të dy inceneratorët.

Avokati Përparim Kulluri:

Ai s’ka pse të pendohet apo të bëhet bashkëpunëtor. Të jesh i hapur për organin e akuzës dhe pafajësinë tende, s’do të thotë se je bashkëpunëtor. SPAK-u i ka të gjitha mjetet që të kërkojë dhe të gjejë bashkëpunëtor, por jo te Lefter Koka, por te persona të tjerë.

Po për aferën e inceneratorëve, katër ditë më parë ishte ish-deputeti socialist Alqi Bllako, i cili doli para Gjykatës së Posaçme të Apelit për të kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, nga “Arrest me burg” në një më të lehtë. Por, nuk pati asnjë ndryshim dhe kërkesa nuk iu pranua. Bllako, i cili ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, këmbënguli se nuk paraqet rrezikshmëri dhe se është i disponueshëm për drejtësinë.