Rajoni

Bie intensiteti i zjarreve në Greqi, pas dy javësh luftë me flakët!

Pas thuajse dy javësh, bie intensiteti i zjarreve në Greqi. Shërbimet greke të urgjencës po punojnë për të parandaluar shpërthime të reja në pjesën qendrore të vendit fqinj, nga ku shumë banorë u larguan për shkak të një shpërthimi masiv në një depo municioni, një ditë më parë. Pesë persona humbën jetën nga zjarret, të nxitura nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta.

Në Greqi, zjarret kanë shkatërruar shtëpi, ferma e fabrika, duke djegur një pjesë të madhe të sipërfaqes pyjore që nga 17 korriku. Në Magnezi, flakët arritën në një depo municionesh të forcave ajrore pranë qytetit bregdetar Nea Aghialos. Nga shpërthimet e fuqishme të një dite më parë, roja bregdetare njoftoi se banorët u detyruan të iknin nga zona. Edhe avionë luftarakë në një aeroport ushtarak aty pranë u zhvendosën, si masë sigurie.

Qytetarë të cituar nga agjencia Reuters, deklaruan:

Shpërthimi u ndje në një hapësirë të madhe prej disa kilometrash larg depos, duke shkaktuar thyerjen e xhamave të disa dyqaneve.

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, bën të ditur se ka urdhëruar një hetim lidhur me atë që ndodhi. Ndërkaq, zëdhënësi i brigadës së zjarrit, Ioannis Artopoios, deklaroi:

Zjarrfikësit bënë një përpjekje “mbinjerëzore”, por nuk arritën të zbusin zjarret e rindezura në zonën më të gjerë të Volos e në Aghialos.

Dhjetëra zjarrfikës punuan atje, të ndihmuar nga pesë avionë e një helikopter, pasi erërat e forta mund të shkaktojnë aktivizime të reja.

Ministria e Punës u bëri thirrje punëdhënësve në një zonë industriale të Volosit që sot të pezullojnë operacionet, për të dytën ditë radhazi.

Në ishullin Rodos ku gjatë fundjavës më shumë se 20 mijë turistë dhe vendas u larguan nga hotelet e shtëpitë buzë detit, zjarret u shuan pasi dogjën rreth 10% të sipërfaqes së ishullit.

Një ditë më parë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se Greqia duhet të ndërmarrë më shumë hapa për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike, duke theksuar nevojën për të përmirësuar më tej shërbimet e parandalimit të zjarreve.