Një javë nga agresioni rus në Ukrainë dhe tashmë, Moska kontrollon të parin qytet të madh të fqinjit, Khersonin. Ky qytet përbën një pikë strategjike që iu lejon rusëve të kontrollojnë një pjesë të rëndësishme të rajonit jugor të Ukrainës, si dhe iu mundëson zhvendosjen më në perëndim, në Odesë. Kherson numëron 290 mijë banorë dhe vitin e kaluar, aty u mbajtën stërvitje ushtarake të mbështetura nga NATO. Pushtimi erdhi pas një rrethimi treditor që e la qytetin pa ushqime e ilaçe.
Një zyrtar në qytetin Izium, dy orë në juglindje të Kharkivit, raportoi se tetë civilë, përfshirë dy fëmijë u vranë nga sulmet ajrore. Nënkryetari i bashkisë, Volodymyr Matsokin, tha se qendra e qytetit pësoi dëme të konsiderueshme dhe se disa policë u plagosën, kur u sulmua një godinë qeveritare.
Në Kiev vazhdojnë sulmet ruse me raketa. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orët e para të mëngjesit. Të paktën katër të tilla, rreth orës 03:00 me atë lokale, ndriçuan qiellin. E paqartë se kish ishin objektivat e sulmeve që pasuan një shpërthim masiv pranë stacionit qendror të trenit në Kiev.
Kujtojmë se që nga fillimi i luftës, më 24 shkurt, numërohen mbi 2 mijë civilë të vrarë, qindra mijëra të zhvendosur dhe furnizimet me ujë e ushqime sa vijnë e pakësohen në Ukrainë. Sot pritet raundi i dytë i negociatave Kiev-Moskë, me shpresën se do të arrihet marrëveshje për armëpushim.
Kombet e Bashkuara njoftuan se një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje. Eksodi ka ndodhur në vetëm shtatë ditë, pasi filloi pushtimi, të enjten e kaluar. Në një deklaratë në Twitter, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, u lut të ndalet lufta, që të sigurohet ndihma humanitare për miliona njerëz në territorin ukrainas. OKB ka parashikuar se si pasojë e konfliktit, rreth 12 milion njerëz do të zhvendosen dhe do të kenë nevojë për ndihmë.
Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin, “të ndalë menjëherë gjakderdhjen” e “të tërheqë trupat nga territori i Ukrainës”. Gjithashtu, Uashingtoni akuzoi Rusinë se ka nisur një “sulm të plotë ndaj lirisë së medias dhe të vërtetës”, duke bllokuar aksesin në mediat e pavarura. SHBA theksuan “fundosjen” nga Rusia të platformave të mediave sociale si Twitter, Facebook e Instagram.