Celebrities Music Showbiz

Billie Eilish do të drejtojë eventin më të madh në botë për ndryshimet klimatike që zhvillohet në Londër këtë verë!

Billie Eilish së fundmi ka njoftuar se do të drejtojë një ngjarje të madhe shumë ditore të ndryshimeve klimatike në arenën O2 të Londrës këtë verë. Ngjarja e titulluar “Overheated” do të zhvillohet gjatë gjashtë ditëve të turneut botëror të Eilish “Happier Than Ever”. Këngëtarja dhe aktivistja, fituese e çmimeve “Grammy” do të performojë dhe do të zhvillojë diskutime rreth ndryshimeve klimatike me muzikantë, aktivistë, stilistë dhe figura të tjera kulturore, duke përfshirë aktivisten Vanessa Nakate dhe YouTuber-in Jack Harries.

Sipas faqes së internetit O2, temat e diskutuara “do të variojnë nga praktikat e gjelbërimit në industrinë e muzikës deri tek përfitimet e një diete me bazë bimore dhe të një mode të qëndrueshme”. Ngjarja do të zhvillohet në gjashtë ditë jo të njëpasnjëshme më 10, 11, 12, 16, 25 dhe 26 qershor. Dita e parë do të nisë me një ngjarje paneli me prezantime nga Billie Eilish dhe FINNEAS, me një folës tjetër kryesor që do të jetë i shpallur. Nëna e çiftit dhe themeluesja e “Support+Feed”, Maggie Baird, do të jetë gjithashtu në panelin kryesor në disa ditë.

“Support+Feed” është një organizatë bamirëse që ndërmerr veprime për “zhvendosjen globale drejt një sistemi ushqimor të barabartë, me bazë bimore, për të luftuar pasigurinë ushqimore dhe krizën klimatike”. Lidhur me ngjarjen, Maggie Baird tha:

Ne jemi të emocionuar që jemi në Londër dhe kemi këtë mundësi për t’u lidhur dhe diskutuar mënyra të ndryshme se si mund të ndërmarrim veprime për të zbutur krizën klimatike.

Eilish ka qenë një aktiviste për një kohë të gjatë për veprimin ndaj klimës dhe gjatë samitit të klimës COP26, ajo u bëri thirrje udhëheqësve në mbarë botën që të “qëndrojnë së bashku dhe të flasin për planetin tonë, jo vetëm për ne, por për brezat tanë të ardhshëm”.

Kujtojmë gjithashtu se edhe gjatë paraqitjeve dhe pjesëmarrjes së saj në “Met Gala”  veshja e saj ka pasur si qëllim përcjelljen e një mesazhi shumë të rëndësishëm.