Celebrities Fashion

Billie Eilish shkëlqen dhe i magjeps të gjithë, tejkalon çdo pritshmëri në “Met Gala 2021”!

Artistja 19-vjeçare Billie Eilish ka arritur që të shkëlqejë me plot kuptimin e fjalës. Mbrëmjen e kaluar ajo ka qenë një nga të ftuarit që bëri më shumë bujë me veshjen e saj. I gjithë look-u i saj ishte thjesht shumë unik dhe mjaft tërheqës. Fustani i saj madhështor në ngjyrë ‘nude’ arriti ta bënte Billie-n të magjishme.

Ajo kaloi në tapetin e kuq të Muzeut mbrëmjen e kaluar si bashkë-prezantuesja më e re ndonjëherë e “Met Gala”-s dhe dukej magjepsëse. Fustani që ajo kishte zgjedhur të vishte ishte nga marka prestigjoze e “Oscar de la Renta”. Busti i fustanit ishte me një dekolte mjaft tërheqëse dhe të hapur përpara tek pjesa e gjoksit, kjo e bënte Billie-n të dukej si një princeshë përrallash. Ndërsa pjesa tjetër e fustanit ishte afërsisht 15 metra e gjatë dhe shumë madhështore.

Në debutimin e saj në “Met Gala”, ajo kërkoi një tjetër paraqitje tradicionalisht femërore, duke i treguar “Oscar de la Renta” disa imazhe referimi si Grace Kelly dhe Marilyn Monroe gjatë gjithë procesit të dizenjimit. Fernando Garcia një nga drejtorët kreativ të etikës së veshjes e përshkroi veshjen e artistes duke thënë se:

Ajo ishte shumë e interesuar t’i befasonte të gjithë me një pamje që nuk e kishte provuar kurrë më parë, shumë e pastër dhe sensuale. U ndje si një rrezik për të dhe si diçka që e bëri atë nervoze në një mënyrë të mirë por në fund të ditës, ajo është një vajzë dhe dëshiron të duket e bukur.

Bukuroshja nuk është veshur kurrë më parë nga “Oscar de la Renta” në një event të tapetit të kuq. Ajo ka qenë më shumë një fanatike e logove, duke zgjedhur historikisht setet e pantallonave dhe xhaketave me përmasa ‘oversize’ dhe njëngjyrëshe nga markat e njohura si “Gucci”, “Burberry” dhe “Chanel” dhe herë pas here i përshtaste veshjet e saj me flokët e zeza dhe neon.

Por mesa duket gjithçka ka ndryshuar tashmë. Këtë verë, ajo prezantoi për të gjithë fansat e saj një tjetër look të sajin, jashtëzakonisht ndryshe nga se ishin mësuar të gjithë ta shikonin. Ylli i hitit “Bad Guy”  pozoi për “British Vogue”, ku u shfaq e veshur me të brendshme rozë dhe ‘nude’, duke dalë komplet jashtë pritshmërive pasi askush nuk e kishte imagjinuar që ajo do të shfaqej aq sexy dhe tërheqëse.