Rajoni

Deputetët serbë braktisën mandatet, Kosova: Nuk ka krizë kushtetuese!

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha sot se për dorëheqjen e dhjetë deputetëve serbë do të ndjekë procedurat ligjore. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deklaroi:

Unë do t’i drejtohem presidentes Vjosa Osmani e pastaj procedurat e tjera thonë që Presidenca i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më tej, KQZ përgjigjet me propozimet për deputetë që vijnë nga e njëjta listë. Nëse edhe ata refuzojnë, procedura përsëritet derisa të plotësojmë vendet në Kuvend nga pakica serbe.

Sipas Konjufcës, “procedurat janë të qarta dhe nuk rrezikohet Kuvendi i Kosovës”.

Nuk dua të mendoj që presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç mund ta dërgojë në zgjedhje Republikën e Kosovës kur të dojë. Nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe i Vuçiçit, të shkaktojnë zgjedhje në Kosovë apo ndonjë lloj destabilizimi, atëherë kjo nuk është e mundshme. Serbia ka në plan ta shkëpusë veriun nga Kosova, por nuk do ta lejojmë një gjë të tillë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit foli edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së. Besnik Tahiri deklaroi se dorëheqjet e deputetëve të Listës Serbe e kanë “ndërlikuar shumë situatën e ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”.

Dorëzimi i mandateve nga Lista Serbe është shumë problem për shkak se tani KQZ-ja duhet të trajtojë në listë njerëzit e tjerë për të përmbushur dhe ata nuk do të marrin mandate. Do të vijmë në një situatë kur Parlamenti nuk do t’i ketë 120 deputetë. Do të kemi një vakum kushtetues, të cilin duhet ta interpretojë Gjykata Kushtetuese.

Më 5 nëntor, Lista Serbe bëri të ditur se zyrtarët serbë në Kuvend, qeveri, pushtet lokal, Polici, gjykata e të tjera institucione në veri do të largohen. Largimi pritet të zgjasë nëse Prishtina zyrtare nuk tërhiqet nga plani me tri faza për riregjistrimin e targave në RKS. Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë pezulluan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e qeverisë për targat.