Botë e Çuditshme Design

Dikur një vendpushim me 5 yje/Hoteli i parë lundrues në botë, sot totalisht i rrënuar!

Dikur ishte një vendpushim ekskluziv me pesë yje, por sot hoteli i parë lundrues në botë gjendet i rrënuar në një port të Koresë së Veriut, një zonë e kufizuar që ndan dy Koretë. Porti mendohet se është ndalesa e fundit e këtij hoteli që nisi lundrimin e tij 30 vjet më parë.

Hoteli lundrues ishte ideja e Doug Tarca, një zhytës profesionist dhe sipërmarrës me origjinë italiane që jetonte në Townsville, Australi. Ai u hap zyrtarisht më 9 mars 1988 dhe kushtoi rreth 100 milionë dollarë. I vendosur në  Parkun Detar të Koraleve, hoteli ishte i siguruar me shtatë spiranca të mëdha, të pozicionuara në mënyrë të tillë që të mos dëmtonin gumën koralore. Veç kësaj, mbetjet dhe ujërat e zeza nuk derdheshin në oqean, duke kufizuar kështu ndotjen mjedisore.

I përbërë nga 176 dhoma, hoteli mund të strehonte 350 mysafirë. Kishte një fushë tenisi, dy restorante, një laborator kërkimor, një bibliotekë dhe një dyqan ku mund të bliheshin pajisje zhytjeje. Megjithatë, përtej luksit po shfaqeshin probleme të shumta që lidheshin me motin e ashpër.

Vetëm një javë pas hapjes, një ciklon goditi dhe dëmtoi strukturën e anijes. Gjithashtu, pak milje larg hotelit u gjet një depo municioni e Luftës së Dytë Botërore, duke trembur kështu shumë klientë. Pas vetëm një viti, “Four Seasons Barrier Reef Resort” u mbyll pa arritur kurrë të funksionojë plotësisht.

Në vitin 1998, u ble nga Koreja e Veriut për të tërhequr turistë në malin Kumgang, një zonë piktoreske pranë kufirit me Korenë e Jugut. Gjithsesi, mendohet se hoteli funksiononte vetëm për anëtarët e partisë në pushtet të Koresë së Veriut, derisa u mbyll përfundimisht në vitin 2008 dhe mbeti si një relikte e ndryshkur.

Së fundmi, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-Un kërkoi që shumë objekte ndër to dhe hoteli lundrues të prisheshin, por pandemia pezulloi planet dhe tanimë nuk dihet se çdo të ndodhë me fatin e hotelit unik.

Rikujtojmë për të gjithë të fiksuarit e serialit të Koresë së Jugut, “Squid Game” se ekipi që u mor me krijimin e serialit kishte një buxhet shumë miliona dollarësh për të krijuar arenën ku konkurrentët do të luanin për të mbijetuar dhe për të fituar një çmim të majmë parash. Drama zhvillohet në një ishull të paidentifikuar në brigjet e Koresë së Jugut, ndërsa secila lojë zhvillohet në dhoma të ndryshme, të projektuara në mënyrë të veçantë. Një sheshxhirim unik që bie në sy janë shkallët e një korridori në ishull, që personeli i maskuar i përdor për të transportuar garuesit midis dhomave të tyre të fjetjes dhe dhomave ku mbahen sfidat.