Bota

Elon Musk në kontroll të Twitter-it, a do të rikthehen të larguarit?

Menjëherë pasi Elon Musk-u mori kontrollin e Twitter-it, disa personalitete konservatore nuk humbën kohë për të hyrë në platformë dhe për të riqarkulluar teoritë konspirative në një përpjekje për të “testuar” nëse politikat e Twitter-it për dezinformim ende ishin duke u zbatuar.

Ndërsa asnjë ndryshim i menjëhershëm i politikave nuk ishte njoftuar deri dje pasdite, kjo nuk i ndaloi përdoruesit të brohorisnin ose të kritikonin atë që presin të jetë përqafim i shpejtë i premtimeve të Musk-ut për të shkurtuar moderimin, në emër të promovimit të fjalës së lirë.

Në një postim në Twitter, Musk tha se “Twitter-i do të formojë një këshill për moderimin e përmbajtjes, me këndvështrime gjerësisht të ndryshme”.

Asnjë vendim i rëndësishëm i përmbajtjes ose riaktvizimit të llogarive, nuk do të ndodhë përpara se të mblidhet ai këshill.

Por, gjatë pjesës më të madhe të ditës, ata që përqafuan thirrjen e Musk-ut për ta bërë Twitter-in strehë të fjalës së lirë, ishin të etur për të parë se deri ku mund të shkonin.

Në Twitter, ekspertë të njohur të krahut të djathtë postuan fjalë të tilla si “ivermectin” dhe “Trump fitoi”, për të parë nëse do të penalizoheshin për përmbajtjen. Ivermectin, ilaç i lirë që vret parazitët te njerëzit dhe kafshët është promovuar nga disa ligjvënës republikanë e drejtues konservatorë të emisioneve, si një mënyrë efektive për të trajtuar COVID-in. Por, ekspertët e shëndetit shprehen se ka prova të pakta për të mbështetur besimin se ilaçi funksionon.

Në një letër që synon të qetësojë frikën e reklamuesve, Musk u zotua se Twitter-i nuk do të jetë “peizazh ferri i lirë për të gjithë, ku çdo gjë mund të thuhet, pa pasoja”.

Por, ende është e paqartë se çfarë do të tolerohet. Kush do të qëndrojë? Kush do të largohet? Kush mund të kthehet potencialisht nga lista e njerëzve që platforma i ka ndaluar ndër vite? Ata variojnë nga Donald Trump, te teoricieni i konspiracionit Alex Jones dhe ish-udhëheqësi i Ku Klux Klan, David Duke. Asnjëri nuk është rikthyer në platformë deri tani.