Celebrities Film & Tv Showbiz

Filmi që ka “pushtuar” deri më tani ekranet…

Dinosaur, xhet luftarakë, superheronj dhe animacion. Kjo është panorama e kësaj vere në kinema. Dhe ashtu siç ishte parashikuar, “Jurassic World dominion” pushtoi ekranet, që prej fundjavës së premierës, me arkëtime plot 143 milionë dollarë. “The bad guys” qëndron prej 8 javësh në ‘Top 5’, duke arkëtuar edhe 2.3 milionë dollarë të tjerë, në një total prej 92 milionë dollarësh. “The Bob’s burgers movie” shkon në vend të 4 me 2.3 milionë dollarë për të tretën javë rresht.

Pas thuajse 3 muajsh, “Doctor strange in the multiverse of madness” siguroi edhe 4.9 milionë dollarë, në arkëtime totale prej 398 milionë dollarësh. “Top gun: Maverick” humbi vendin e parë, por arkëtoi në fundjavën e tretë në kinema, edhe 50 milionë dollarë të tjerë, shumë afër “Doctor strange”, në 393 milionë dollarë arkëtime nga shitja e biletave në kinema në vetëm 20 ditë nga premiera. Ashtu siç pritej, “Jurassic World Dominion” bëri bujë që në premierë.

Finalja e filmit triologji, nisi fuqishëm shfaqjen në kinema, me arkëtime në vetëm 3 ditë, prej 143.4 milionë dollarë. Ndërkaq, rikujtojmë se Netflix ka publikuar së fundmi një trailer të shkurtër për sezonin e dytë të serialit të suksesshëm dramatik “Squid Game”, së bashku me një mesazh nga krijuesi, shkrimtari, regjisori dhe producenti ekzekutiv Hwang Dong-Hyuk duke treguar detaje se cilët personazhe po rikthehen për sezonin e dytë. 

Sjellim në vëmendje se Adam Sandler nënshkroi një marrëveshje prej 350 milionë dollarësh me Netflix, për paraqitjen e tij në filmin e ri “Hustle” dhe duket se ka arritur një rekord të ri sa i përket fitimeve. Sandler i cili luan rolin e një motivuesi të talentëve të rinj në basketboll, ka marrë kritika shumë pozitive. Regjinë e filmit e ka bërë Jeremiah Zagar. Veç Sandler, në film luajnë edhe aktorët Queen Latifah, Ben Foster, Juancho Hernangomez dhe Robert Duvall.