Bota Sport

Hendbollistet norvegjeze fitojnë, vendoset ndalimi i bikinëve seksistë!

Jo më bikini! Federata Ndërkombëtare e Hendbollit ndryshon rregulloren mbi uniformat femërore të hendbollit në plazh, pas polemikave të shumta këtë verë për gjobat ndaj kombëtares norvegjeze. Sportistet nordike e pësuan kur u ndëshkuan nga komisioni disiplinor i Federatës Europiane të Hendbollit, pasi mbajtën pantallona të shkurtra, si të çiklistëve, në vend të bikinit që e kundërshtuan si seksist.

Rregullat e reja

Rregullat e reja përcaktojnë se tashmë hendbollistet duhet të mbajnë pantallona të shkurtra e jo më bikinin që rrinte ngjitur pas trupit e kishte një të çarë për nga pjesa e sipërme e këmbës. Gjithashtu, kanotiera do të jetë më e ngjashme me të meshkujve, duke nënkuptuar një veshje më të plotë dhe jo atë të shkurtrën, që ishte shumë e hapur.

Aktorja e aktivistja, Talitha Stone, e cila doli në krah të hendbollisteve norvegjeze që në momentet e para, u shpreh:

Shpresoj që ky të jetë fillimi i dhënies fund të seksizmit e objektivizimit të grave e vajzave në sport.

 

Rasti

Vendimi për të gjobitur norvegjezet pati shkaktuar shumë protesta. Refuzimi i tyre për të mos u trajtuar si objekte me përmbajtje seksuale, iu siguroi solidaritetin e organizatës që lufton për barazinë gjinore, “Collective Shout”. Kjo e fundit ndërmori një fushatë, gjatë së cilës u mblodhën mbi 60 mijë firma.

Për çështjen foli edhe këngëtarja amerikane Pink, e cila u ofrua të paguajë gjobën ndaj hendbollisteve norvegjeze. Ndërkaq në Norvegji, ministri për Kulturën dhe Sportin, Abid Raja, i cilësoi “qesharake” rregullat mbi uniformat ndërsa sa vinin e shtoheshin zërat që kërkonin dorëheqjet e presidentëve të federatave europiane e botërore.