Bota Celebrities

Ivana u shua nga një infarkt/Vlerësimet e Donald Trump për ish-bashkëshorten, simbol i “Klubit të grave të para”!

Ishte një infarkt në zemër që i mori jetën Ivana Trump-it, gruas së parë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. E lindur në Çekosllovaki, Ivana u shua në moshën 73-vjeçe. Nënën e tre prej pesë fëmijëve të tij, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë e vlerësoi si grua të mrekullueshme e të jashtëzakonshme, që pati një jetë fantastike e stimuluese. Ata u martuan në vitin 1977 e ishin një çift në qendër të vëmendjes mediatike. Më pas u divorcuan më 90-ën, ndërsa Ivana mbajti imazhin e gruas së fortë e të spikatur për biznes. Jo gjithnjë marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të përkryera, Ivana e akuzoi Donald-in se e pati përdhunuar, por më pas kërkoi që këto deklarata të mos merreshin të mirëqena.

Siç bënë të ditur mediat amerikane, urgjenca në Manhatan, mori një telefonatë emergjence për një infarkt kardiak dhe më pas e gjetën të pajetë në apartamentin në Upper East Side të Nju Jorkut ku edhe jetonte. Burime policore saktësuan se nuk ka elementë të dyshimtë në vdekjen e Ivanës dhe se vdekja erdhi për shkaqe natyrore.

Sipas TMZ-së, infarkti e goditi pak pas drekës, gruan “e vizatuar” nga media si “heroinë dhe simbol të klubit të bashkëshorteve të para”. Në komedinë e shkëlqyer e shumë zbavitëse me të njëjtin titull të vitit 1996 e që do të mbahet mend gjatë pikërisht për identitetin e fortë femëror, pa dyshim që nuk harrohet batuta e Ivanës, që porosit protagonistet të mos inatosen, por “të marrin gjithçka”, një referencë e qartë për bashkëshortët.

Gjatë martesës, Ivana Trump punoi në krah të bashkëshortit në një sërë projektesh në tregun e pasurive të patundshme, përfshirë ndërtimin e Trump Tower në Manhatan, kazinonë Trump Taj Mahal Casino Resort në Atlantic City e blerjen për 400 milion dollarë të Plaza Hotel-it në Central Park. Por, në jetën e tyre hyri Marla Maples, bukuroshja “pjeshkë” nga Xhorxhia, me të cilën Donald Trump u martua duke zyrtarizuar lidhjen sekrete dhe u bënë prindër të vajzës Tiffany. Edhe kjo martesë përfundoi në divorc, ndërsa në jetën e zemrën e Ivanës hynë dashuri të reja, si ato me italianët Riccardo Mazzucchelli, Roffredo Gaetani e Rossano Rubicondi.