Bota Botë e Çuditshme

Ja kush mban tani titullin si personi më i vjetër në botë!

Maria Branyas Morera me moshën 115 vjeçe, e cila i mbijetoi virusit COVID-19 dy vjet më parë, u bë personi më i vjetër në botë pasi murgesha Andre, 118 vjeç, ndërroi jetë pak ditë më parë. Maria lindi në SHBA në vitin 1907, por kur ishte fëmijë u shpërngul në Spanjë me familjen e saj, sipas gazetës britanike ‘Daily Mail’.

Ajo jeton në një shtëpi të moshuarish dhe në një intervistë me të përditshmen katalanase ‘La Vanguardia’ në muajin tetor 2019, ajo tha se deri në moshën 105 vjeçe, ajo i binte pianos, lexonte gazetën dhe bënte ushtrime çdo mëngjes. Drejtoresha e shtëpisë tha se ajo është në gjendje të mirë shëndetësore për moshën e saj, edhe pse ka humbur dëgjimin dhe shikimin në masë të madhe dhe ka vështirësi të lëvizë.

Maria u martua në vitin 1931 dhe pati tre fëmijë dhe tregoi se ka 11 nipër e mbesa dhe 13 stërnipër. Personi më i vjetër në botë, murgesha franceze Andre, ndërroi jetë disa javë para ditëlindjes së saj të 119-të në një shtëpi të të moshuarve në Toulon, raportuan mediat botërore dhe tashmë Maria Branyas ia ka marrë këtë titull.

Rikujtojmë se, Motra André, personi më i vjetër i njohur në botë, ka ndërruar jetë në moshën 118 vjeçe dhe 340 ditëshe. Më pak se një muaj larg ditëlindjes së saj të 119-të, ajo mbajti rekordin për personin më të vjetër të gjallë në botë gjithashtu edhe për murgeshën më të vjetër, sipas Rekordeve Botërore të Guinness.

Ajo lindi në Francë më 11 shkurt 1904, me emrin e vajzërisë Lucile Randon dhe mori emrin Motra André në 1944. Motra André e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në shërbimin fetar si murgeshë katolike romake.