Celebrities Film & Tv Showbiz

“Jam me fat që jam gjallë…”/Selena Gomez publikon trailerin e dokumentarit të saj!

Këngëtarja dhe aktorja amerikane, Selena Gomez, prezantoi trailerin e dokumentarit të saj të ardhshëm, “Selena Gomez: My Mind & Me”, ku ndër të tjera foli hapur për problemet me shëndetin mendor. 30-vjeçarja vendosi të ndajë me fansat në mbarë botën një vështrim të problemeve të shëndetit mendor.

Traileri, i cili u publikua në YouTube, tregon faza të ndryshme të jetës së yllit, që nga pamjet e fëmijërisë, klipet nga performancat e deri te disa momente personale, si biseda për gjendjen e saj dhe momente nga spitali. Selena thotë mes lotësh se:

Kam punuar gjithë jetën time që e vogël dhe nuk dua të jem super e famshme. Por, e di që nëse tashmë jam këtu, duhet ta përdor për të mirën time.

Gomez ka qenë e hapur me fansat për problemet e saja shëndetësore gjatë viteve, duke përfshirë diagnostikimin me lupus në vitin 2014 dhe ‘luftën’ me ankthin dhe depresionin. Në vitin 2020, ajo zbuloi se ishte diagnostikuar edhe me çrregullim bipolar. Selena i drejtohet vetes:

Vetëm bëhu kjo që je, Selena. Askujt nuk i intereson se çfarë bën ti. Ka të bëjë me atë se kush jam unë. Se jam mirë ku jam. Jam mirënjohëse sepse jam gjallë. Më lejoni të bëj një premtim: ‘Unë do të ndaloj së jetuari kështu’.

Në trailerin prej dy minutash e gjysmë, shfaqet edhe shoqja e hershme e këngëtares, Raquelle Stevens, e cila flet për mbështetjen që i ka dhënë Selena-s gjatë viteve. Gomez shpjegoi gjithashtu pse u bë një avokate e shëndetit mendor, duke thënë se përvojat e saj të jetës e bënë të ndihej gati për të ndihmuar të tjerët që po përjetonin të njëjtën gjë.

Dokumentari “Selena Gomez: My Mind & Me” do të jetë i disponueshëm për shikuesit në Apple TV nga 4 nëntori. Projekti u drejtua dhe u prodhua nga Alek Keshishian, i cili gjithashtu shkroi dokumentarin “Madonna: Truth or Dare” nga viti 1991. Rikujtojmë se së fundmi Gomez ka reaguar përmes një video në Tik Tok ndaj intervistës virale të podcast-it të Hailey Bieber. Selena është shprehur se talljet janë të poshtra dhe neveritëse dhe u ka kërkuar njerëzve që të jenë të sjellshëm.