Aktualitet

Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave, zbardhet agjenda e delegacionit shqiptar!

Një delegacion shqiptar ka mbërritur këtë të hënë në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, pasi ditën e nesërme do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas agjendës, kryeministri Edi Rama do të takohet me homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në orën 08:30.

30 minuta më pas, ata do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Në orën 11:00 do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare dhe në 12:30, Rama do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky dhe komisionerin për Zgjerim në BE, Oliver Varhelyi.

Në orën 15:00 është planifikuar edhe një takim ‘screening’  i kryenegtociatorit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi.

Më pas, në orën 18:00 do të ketë një pritje të përbashkët të delegacionit shqiptar me atë maqedonas, me rastin e hapjes së negociatave.

Në mbrëmje, rreth orës 23:15 delegacioni shqiptar do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit.