Music Top Albania Radio Special

Kushtuar muzikës së viteve ’90, pesë super artistët që do i vënë ‘flakën’ “Super Bowl”-it!

Pak ditë më parë u lajmëruan kush do të ishin artistët që do të performonin në shfaqjen televizive më të ndjekur në botë – pushimin mes pjesëve të finales së Superbowl. Si ‘rastësisht’ nuk është një artist por janë pesë, katër prej të cilëve yje të muzikës së viteve ’90 (fundit të 1990 dhe fillimit të 2000).

Nëse për gjeneratën e Millenials e më tej, ata konsiderohen old, vintage, zgjedhja për t’i dhënë hapësirë, në një nga shfaqet muzikore më të lakmuara në botë – Dr. Dre, Snoop Dogg, Eminem, Mary J Blige tingëllon e çuditshme. Me ta do të jetë edhe Kendrick Lamar (ylli i “Sit down, Be Humble”).

E çuditshme apo jo, buzz-i i krjuar prej tyre është i jashtëzakonshëm, sado mund të quhen yje të perënduar. Muzika e tyre përkon me fillimet e radios më të dashur të shqiptare, 24 vite më parë. Valët e Top Albana Radio’s buçisnin me këngë si “Still” “Slim Shady” apo “The Next Episode”.

Ka një shprehje që thotë se pas viteve ’80 në muzikë nuk ka asgjë të re. Sidomos vitet ’90 ishin ripaketim i gjithçkaje ishte bërë më parë. Por ishte pikërisht ky ripaketim i cili i hapi rrugën atyre artistëve që sot mbretërojnë klasifikimet dhe shesin stadiume.

Kushtuar muzikës së viteve ’90, episodi i kësaj here i speciales së Top Albania Radios, është një program nostalgjik po aq sa profetik. Ok, Ok, nuk duam t’i bëjmë dëgjuesit tanë të ndihen të vjetër. Por në sport, 34 vjet janë shumë.

Ky program nuk do të ketë në qendër të tij sportin dhe Super Bowl-in në vetvete, por do të fokusohet te pushimi mes dy pjesëve. Kryesisht, dhe këtë që do themi tani e dinë gjithë fansat e futbollit që na dëgjojnë, për tifozët s’ka asgjë të bukur në ato 15 minuta pushim pas fundit të pjesës së parë, hiq ndoshta mundësinë e shkëlqyer për të shkuar në tualet. Epo në Super Bowl, ky pushimi është jo 15, por 30 minuta. Jo se amerikanët lodhen më shumë, por sepse në këtë pushim, ndodh diçka e jashtëzakondshme; ndodh një show i vërtetë, i ashtuquajturi the Halftime Show.

Disa nga artistët më të mirë të të gjitha kohërave kanë performuar në të, dhe në Amerikë nuk ka privilegj më të madh për një artist sesa të jetë pjesë e atyre pak minutave, kur topi ndalet dhe kundërshtarët bëjnë armëpushim. Këtë herë, artistët që do të performojnë në Super Bowl janë të kategorisë “heavy weight”. Hip-hop dhe R&B do të jenë lloji i muzikës që do të luhet për 30 minuta në SoFi Stadium , Inglewood, Cali. Pra një ndër skenat më madhështore të botës do të pushtohet më 13 shkurt nga Dr. Dre, Snoop Dogg, Eminem, Mary J. Blige and Kendrick Lamar.

Emrat e pesë artistëve që do të jenë të pranishëm në këtë halftime show, bëjnë së bashku, besojeni ose jo, 43 çmime Grammy dhe 21 Billboard Number 1 albums. Mary J. Blige është e vetmja artistë ndër këtë 5-she që ka qenë më parë pjesë e Halftime show, ekzaktësisht në vitin 2001.

Mary J. Blige, ose “The Queen of Hip-Hop Soul”, është padiskutim një ndër artistët më të dashur në zhanerin e saj. 51 vjeçarja ka shkruar dhe kënduar si Hip-hop edhe R&B dhe në karrierën e saj të gjatë muzikore ka punuar me shtëpi të ndryshme diskografike si Capital, Republic dhe Atlantic Records. Ndër vite MJB ka shkruar plot 13 albume dhe secili prej tyre ka qenë pjesë e  top 10, në Billboard 200. Ajo ka fituar 9 Grammy Awards, 4 American Music Awards dhe 12 billboard Music Awards. Jo vetëm kaq, por Blige është nominuar 3 herë për Golden Globe Awards dhe 2 herë për Academy Awards. Në fakt ajo është artistja e parë që nominohet si për një interpretim të shkëlqyer në filmin “Mudbound”, ashtu edhe për këngën origjinale “Mighty River” në të njëjtin film. Dy albumet e saj të para, “What’s the 411?” dhe “My life”, janë konsideruar nga Rolling Stone si pjesë e 500 albumeve më të mira të të gjitha kohërave.

Koha të flasim për yllin e dytë që do të performojë në Halftime show Super Bowl, e thënë shkurt për Andre Romelle Young, ose akoma më shkurt,  për Dr. Dre. Dr. Dre që është vetëm 15 ditë larg t’u bërit 57 vjeç, është padiskutueshmërisht një revolucionar i zhanerit hip-hop dhe si rrjedhojë edhe i muzikës amerikane. I zoti në muzikë, në biznes… e ku jo! Dre është themeluesi dhe CEO i “Aftermath Entertainment”, i “Beats Electronics”, madje edhe i “Death Row Records”. Ama një artist i mirë nuk mund të konsiderohet i tillë nëse nuk ka një kontribut në artin e të gjithëve; dhe Dr Dre, edhe në këtë pikë, është themelues.

Për shembull, ai konsiderohet si themeluesi i rrymës G-funk, që është në vetvete një nenzhaner i muzikës Hip-hop. Ai u bë i famshëm në vitin 1985, ndërsa ju bashkua grupit N.W.A,  repi i të cilëve  detajonte dhunën e jetës së rrugës. Në 1993 ai fitoi dhe çmimin e parë Gramy, për hitin “Let me ride”, si “best rap solo performance”. Por nuk ishin vetëm këngët e Dr. Dre që do ta dallonin atë si artist. Në këtë pikë duhet me doemos folur për intuitën e tij artistike. Duhet patur parasysh miq, që të gjithë artistët që këtë vit do të performojnë në Halftime Show Super Bowl, në një moment të caktuar të karrierës së tyre kanë kaluar nga vet Dr. Dre. Për ta përkufizuar Dr. Dre në numra, mjafton të themi se ka fituar 6 Grammy Awards dhe se “The Rolling Stone” e kategorizon atë si artistin numër 56, në 100 artistët më të mirë të të gjitha kohërave. Një studim i vitit 2008 e cilëson Dr. Dre si reperin e dytë më të pasur, me më shumë se 800 milion dollarë.

Sa prej jush e njohin këngën “I’m not afraid”, të Eminem? Kjo s’është e viteve 90, por është gjithësesi një ndër këngët e tij më të mira. 49 vjeçari është një ndër artistët më të mëdhenj të zhanerit të tij dhe jo vetëm. I thirrur M&M, Double M, Slim Shady, artisti më në fund gjeti karar me emrin Eminem, dhe u bë frymëzim për kush e di sa artistë të rinj. Ah po, emri i tij i vërtetë është, Marshall Bruce Mathers. Kujdes! Ky djalosh, këndon Ekspres!

Eminem është një ndër artistët më të shitur të të gjitha kohërave. Deri tani ai ka shitur më shumë se 220 milionë albume. Eminem është konsideruar si artisti që e popullarizoi Hip-hop në të ashtu quajturën “Middle America”. Mund t’ju duket e çuditshme, por Eminem ka një mëritë si thyes barrierash rracore. Ai ka hapur rrugën për shumë reperë të bardhë. Sepse Hip-hop i përket zezakëve dhe ndonëse asnjë diskriminim rracor nuk është i drejtë, mbase, vetëm mbase, është pakëz e drejtë që të bardhët, sikur vetëm njëherë, të ndihen të diskriminuar. ‘This is America’, të dashur miq. Albumi debutues i Eminem quhet “Infinit” dhe qe një sukses. Por suksesi i tij i vërtetë do të vinte pasi të firmoste për Aftermath Entertainment, të Dr Dre. Ne ju thamë se Dre është i lidhur ngushtë me suksesin e shumicës së artistëve që performojnë në halftime show-in e këtij super Bowl-i, apo jo? Rolling Stone e ka përfshirë Eminem në listën e 100 artistëve më të mirë të të gjitha kohërave; por edhe në listën e 100 tekst shkrueseve më të mirë të të gjitha kohërave. Tani, mbani frymën! Eminem ka fituar plot 15 Grammy Awards, 8 American Music Awards, 17 Billboard Music Awards, 1 Academy Award dhe një MTV Europe Music Global Icon Award.

Calvin Cordozar Broadus Jr, ose thjesht Snoop Dogg, është mbase artisti më me pak çmime në këtë listë, por po aq i dashur nga publiku. Sigurisht që është edhe artisti me lidhjet më të forta dhe më të hershme, me Dr. Dre. 50-vjeçari u bë i njohur me këngën “Deep Cover” që ishte një bashkëpunim mes të dyve, bashkëpunim që vazhdoi me albumin “The Chronic”. Që atëherë Snoop Dogg ka shitur më shumë se 35 milionë albume në gjithë botën. Edhe albumi i tij i parë, i prodhuar sërish nga Dr. Dre debutoi në vend të parë në Billboard Top 200 në vitin 1993. Më pas ai publikoi ‘singles’ dhe dy albume të tjera në Death Row Records dhe qëndroi me ta deri në vitin 1998. Sigurisht që diskografia e tij vazhdon dhe vazhdon, por ne, për hir të temës së programit, do të flasim vetëm për perjudhën e viteve ’90. Snoop Dogg është nominuar gjatë karrierës së tij për 17 çmime Grammy, por deri më tani s’ka mundur të fitojë asnjë.

Ne kemi ardhur pak nga pak te artisti ynë i fundit, te i fundit që do të performojë në Halftime Show Super Bowl për këtë vit. Kendrick Lamar, nuk kap as 13 vjeç në fund të viteve 90, kështu që është i vogli i grupit në këtë rast. Por mos u nxitoni sepse një artist i tillë nuk mund kurrësesi të nënvlerësohet. Është një ndër reperët më të rëndësishëm të brezit të tij, aq sa “Time” e konsideroi si një ndër 100 njerëzit më influencues të vitit 2016. Karriera e tij fillon në mes të viteve 2000, por albumi i tij kryesor, “Good Kid, M.A.A.D City”, erdhi në vitin 2012. Albumin e radhës, (të quajtur “To Pimp a Butterfly”), e publikoi në vitin 2015. Ishte hera e parë për të që do të kryesonte Billboard 200. Albumi i tij i katërt, “Damn” u bë i pari në histori me një Pulitzer Prize. Deri më atëherë, të gjithë albumet që kishin fituar një çmim të tillë ishin ose klasik, ose Jazz.

Ah, meqë jemi te çmimet: Kendrick Lamar ka fituar 13 Grammy Awards, 2 American Music Awards, 6 Billboard Music Awards, 1 Brit Award, 11 MTV Video Music Awards, 1 Pulitzer Prize (siç e thamë më lart) dhe një Academy Award. Jemi në fund… Ju kemi folur mbi Halftime Show Superbowl, por ju kemi folur mbi të gjitha mbi historitë dhe suksesin muzikorë të pesë yjeve, që më 13 shkurt, do të ngrenë në këmbë gjithë botën…