Bota Botë e Çuditshme

Macet në Pallatin Kombëtar në Meksikë janë simbol, shteti duhet t’i ushqejë dhe të kujdeset për to!

Në Pallatin Kombëtar të Meksikës 19 mace endacake mund të bredhin lirshëm në kopshtin e madh dhe korridoret historike, koloniale të ndërtesës. Sipas deklaratës së re të qeverisë, kujdesi për to tashmë është një detyrim. “Ata kanë akses në çdo pjesë të pallatit, kështu që ju mund t’i shihni kur njerëzit takohen në korridore, japin intervista dhe ecin nëpër kamerat e shtypit”,-tha veterineri i pallatit Jesus Arias.

Macet nga pallati kanë bërë histori teksa qeveria e presidentit meksikan Andres Manuel Lopez Obrador i ka shpallur “pronë të gjallë”, duke i bërë ato kafshët e para në Meksikë që iu dha ky epitet. Macet janë në përgjegjësi të Ministrisë së Financave, e cila duhet të paguajë ushqimin dhe kujdesin e tyre sa janë gjallë. Nuk dihet se kur janë shfaqur për herë të parë macet në pallat dhe as nuk dihet se si kanë hyrë në ndërtesë. Ndërsa 19 mace jetojnë përgjithmonë në ndërtesë, shumë mace të tjera vijnë dhe shkojnë dhe stafi i pallatit supozon se macet e tjera hyjnë fshehurazi gjatë natës nga një vrimë e vogël në portë.

Ndërkaq, në një nismë të re për të rritur sigurinë e kafshëve në qytet, Amsterdami po planifikon t’u kërkojë pronarëve të maceve që t’u varin një zile në qafë atyre kur dalin jashtë, për të paralajmëruar zogjtë dhe kafshët e tjera për praninë e tyre. Ky propozim përfshihet në një plan sigurie që kryeqyteti holandez të jetë miqësor ndaj kafshëve. Sipas studiuesve të Universitetit Wageningen, macet shtëpiake vrasin rreth 18 milionë zogj në vit. Përpjekje të shumta janë bërë ndër vite për të frenuar problemet e shkaktuara nga macet shtëpiake.