Botë e Çuditshme Lifestyle

Vrasin rreth 18 milionë zogj në vit, nisma e re e Amsterdamit për macet!

Në një nismë të re për të rritur sigurinë e kafshëve në qytet, Amsterdami po planifikon t’u kërkojë pronarëve të maceve që t’u varin një zile në qafë atyre kur dalin jashtë, për të paralajmëruar zogjtë dhe kafshët e tjera për praninë e tyre. Ky propozim përfshihet në një plan sigurie që kryeqyteti holandez të jetë miqësor ndaj kafshëve. Sipas studiuesve të Universitetit Wageningen, macet shtëpiake vrasin rreth 18 milionë zogj në vit. Përpjekje të shumta janë bërë ndër vite për të frenuar problemet e shkaktuara nga macet shtëpiake.

Në vitin 2021, fondacioni holandez Huiskat Thuiskat, u përpoq të detyronte qeverinë të marrë masa kundër njerëzve që i lënë macet të enedeshin lirshëm jashtë, por pa sukses. Fondacioni e ka mirëpritur masën për zilet, por sipas hulumtimeve ky veprim nuk do të ndikojë shumë në reduktimin e gjahut të maceve. Me rreth 2,9 milionë mace shtëpiake në vend dhe 60 mijë prej tyre të raportuara të zhdukura çdo vit, kujdesi për kafshët shtëpiake i kushton qeverive lokale 4,8 milionë euro në vit.

Ndërkaq, macet komunikojnë qëllimet e tyre armiqësore ose miqësore duke përdorur deri në 276 shprehje të fytyrës, të cilat ka të ngjarë të evoluojnë gjatë më shumë se 10,000 viteve të bashkëjetesës me njerëzit. Dy studiues nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos i matën ato duke analizuar videot e regjistruara në një CatCafè, një vend ku klientët kanë mundësinë të ndërveprojnë, madje dhe të bëjnë joga me dhjetëra mace. Studimi lindi nga një ide e Lauren Scott, një studente e mjekësisë ku për një vit të tërë akademik regjistroi shprehjet e fytyrës së maceve në një CatCafè.