Politikë

Meta mban konferencën e parë të Partisë së Lirisë: Tani s’kam kostumin e presidentit, armiku më i madh korrupsioni

Ish-presidenti Ilir Meta ka dalë në konferencën e parë të Partisë së Lirisë, një ditë pasi Lëvizja Socialiste për Integrim ndryshoi emrin. Gjatë fjalës së tij nga zyra e re, Meta theksoi domosdoshmërinë e rikthimit të lirisë, për të cilën ka marrë edhe emrin partia.

Meta u shpreh i lehtësuar për faktin që tashmë nuk e ka të veshur kostumin e presidentit, duke shtuar se duhet të fillojnë nga puna deri në ditën e triumfit.

“Është e domosdoshmërinë për të rikthyer lirinë. Aleati më i madh i kësaj kleptokracie është indiferenca e madhe. Tani duhet të fillojmë menjëherë nga puna, për fat të mirë tani nuk e kemi më kostumin që na sillte atë pyetje a i lejohet të flasë kështu një presidenti.

Tani jemi sot dhe deri në ditën e triumfit, të gjithë popullit të lirisë. Armiku kryesor i lirisë nuk është vetëm autokracia, por korrupsioni. Është ky korrupsion që e ka rënduar situatën e çdo qytetari shqiptar në mënyrën më dramatike dhe po përzënë rinjtë”, tha Meta.

Tani si kryetar i një partie opozitare, Meta ngriti shqetësimin për situatën ekonomike në vend, duke sjellë në vëmendje raportet.

“Situata e rëndë ekonomike është një realitet konkret dhe i pashmangshëm, një shqetësim shumë i madh për të gjithë shqiptarët, që sot ndihen më të rrezikuar se kurrë në përballimin e jetës së tyre të përditshme për shkak të pasojave tepër serioze të krizës ekonomike që ka pllakosur vendi.

Barometri i Ballkanit në anketën e vitit 2022 ka konstatuar se 59% e qytetarëve në Shqipëri kanë problemin më madhor, situatën ekonomike.

Diferenca është e ndjeshme në raport me vendet e tjera të rajonit. Konkretisht, sipas të dhënave të kësaj ankete situata ekonomike është problem madhor për 40% të qytetarëve të Kosovës, 41% të boshnjakëve, 41% të malazezëve dhe 46% të serbëve.

Është fakt se periudha e vështirë e pandemisë, si dhe rritja stratosferike e çmimeve, me të cilën qytetarët shqiptarë po përballen çdo ditë, nuk janë shoqëruar me asnjë mbështetje nga ana e Qeverisë.

E gjithë barra shumë e rëndë e këtyre dy ngjarjeve me efekt ekonomik të jashtëzakonshëm për familjet e thjeshta shqiptare, ka rënë mbi qytetarët që varfërohen çdo ditë dhe më shumë”, tha Meta.