Showbiz

Muzika botërore në zi! Ndahet nga jeta në moshën 28-vjeçare Dj i famshëm Avicii

Pak minuta më parë me hidhërim të thellë u njoftua ndarja e parakohshme nga jeta e një prej Dj-ve më të famshëm në botë, Tim Bergling i njohur për publikun si Avicii.

Përfaqësuesit e tij me anë të një deklarate publike njoftuan se artisti u gjend i pajetë në Muscat, Oman pasditen e ditës së sotme. Dj dhe producenti suedez ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare dhe shkaqet për largimin e tij nga jeta nuk janë bërë të ditura.

E gjithë muzika ndërkombëtare është në zi ndërsa në orët në vijim priten të mbahen homazhe për të ndjerin. ‘Familja e tij është e shkatërruar dhe ne i kërkojmë të gjithëve që të respektojnë privatësinë në këtë kohë të vështirë’ ,thuhet në deklaratën e publicistes së tij.

Avicii prodhoi hite të paharrueshme si “Hey Brother”, “Wake Me Up”, “Lonely Together’, “Waiting For love’ e shumë të tjera. Kolegët e tij në rrjetin social Twitter po ndajnë me të gjithë botën hidhërimin e tyre dhe kujtimet që kanë me të.