Celebrities Fashion

Një nismë për t’u përgëzuar! Gjiganti luksoz i modës merr një vendim të rëndësishëm!

Konglomerati luksoz i modës që qëndron pas markave si Gucci, Yves Saint Laurent, Alexander McQueen dhe Balenciaga ka ndaluar përdorimin e gëzofit të kafshëve në të gjitha markat e tij deri në vjeshtën e vitit 2022. CEO i Kering, François-Henri Pinault ndërkaq tha në një deklaratë se:

Koha tani ka ardhur. Bota ka ndryshuar, së bashku me klientët tanë dhe luksi natyrisht duhet t’i përshtatet asaj. Kur bëhet fjalë për mirëqenien e kafshëve, grupi ynë ka treguar gjithmonë gatishmërinë e tij për të përmirësuar praktikat brenda zinxhirit të tij të furnizimit dhe sektorit të luksit në përgjithësi.

Në vitin 2017, Gucci u bë shtëpia e parë e modës që u angazhua për të eliminuar gëzofin nga modelet e tyre, duke theksuar përgjegjësinë shoqërore si një nga vlerat kryesore të markës. Markat e tjera, përfshirë Balenciaga, Alexander McQueen dhe Bottega Veneta, gjithashtu kanë hequr dorë tashmë nga gëzofi.

Presioni ndaj markave për të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër mizorisë ndaj kafshëve është rritur për vite me radhë. Së fundmi, këngëtarja e hitit “Happier Than Ever”, Billie Eilish bëri bujë të madhe në të gjithë botën me pamjen dhe paraqitjen e saj spektakolare në eventin e ‘Met Gala 2021’ që u zhvillua në Nju Jork këtë vit.

I gjithë look-u i saj ishte thjesht shumë tërheqës, sidomos fustani i saj madhështor në ngjyrë ‘nude’ arriti ta bënte Billie-n thjesht të magjishme. Por arsyeja se pse Billie Eilish kishte zgjedhur të vishte një fustan të tillë është shumë domethënëse. 19-vjeçarja pranoi të mbante veshur një fustan nga ‘Oscar de la Renta’ me kushtin e vetëm që ata të ndalonin shitjen e gëzofeve.

Rikujtojmë gjithashtu se Chanel dhe Prada njoftuan se do të ndalonin përdorimin e gëzofit, respektivisht në vitet 2018 dhe 2019.