Auto & Moto

Nuk menaxhoi mirë mbetjet e rrezikshme, paditet Tesla!

Një grup prej 25 qarqesh në Kaliforni kanë paditur Tesla-n e Elon Musk me pretendimin se prodhuesi i makinave elektrike ka abuzuar me mbetjet e rrezikshme në fabrikat në të gjithë shtetin. Kryesisht, qarqet e akuzuan Tesla-n për shkelje të ligjeve shtetërore të biznesit dhe menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme. Ligji për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme të Kalifornisë thotë se i akuzuari mund të dënohet deri në afro 70 mijë euro për shkelje. Sipas qarqeve, mbetjet përfshijnë bateri të përdorura, antifriz dhe karburante të ndryshme dhe keqtrajtimi i tyre ka ndodhur në të paktën 101 objekte nga Tesla.

Kjo nuk është hera e parë që kompania përballet me akuza në lidhje me menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme. Në vitin 2019 Tesla arriti një marrëveshje me Agjencinë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit mbi shkeljet e supozuara në një nga fabrikat e saj. Në atë marrëveshje Tesla ra dakord të paguante një gjobë prej 28,479 eurove dhe të merrte hapa më tutje.

Gjithashtu, edhe në vitin 2022 ajo ra dakord të paguajë një gjobë prej 252,639 euro pasi nuk po zbatonte planet për të minimizuar ndotësit e ajrit. Rikujtojmë, se Tesla ka ulur çmimin për automjetin Model Y për tregun në Evropë, pasi uli çmimet për makinat Model 3 dhe Model Y në Kinë. Në Gjermani, Tesla uli çmimin për Model Y me rreze të gjatë për 5,000 euro dhe tani automjeti kushton 49,900 euro, një zbritje prej 9%. Prodhuesi amerikan i automjeteve gjithashtu uli çmimin e Model Y Performance me 5,000 euro, duke kushtuar tani 55,990 euro, një zbritje prej 8%.