Bota

Pas një sërë vjedhjesh, jep dorëheqjen drejtori i Muzeut Britanik Hartwig Fischer!

Drejtori i Muzeut Britanik, Hartwig Fischer, ka njoftuar dorëheqjen e tij pas vjedhjeve të supozuara të objekteve nga institucioni qendror i Londrës. Vitet e fundit, ka pasur një sërë vjedhjesh të artefakteve të cilat kanë nxjerrë në pah mangësi të rënda në aspektin e sigurisë.

“Përgjegjësia për këtë dështim i takon në fund të fundit drejtorit”,-pranoi Fischer. Muzeu Britanik shkarkoi një punonjës javën e kaluar pasi disa sende u zhdukën. Sipas raporteve nga BBC, policia po hetonte disa thesare të humbura, duke specifikuar se bëhet fjalë për ar, xhevahire dhe gurë të çmuar. Shumica e tyre janë copa të vogla që mbaheshin në një magazinë që i përkiste një prej koleksioneve të muzeut dhe u përdorën për punë akademike dhe kërkimore.

Muzeu tha gjithashtu se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër punonjësit të shkarkuar, pa e përmendur emrin e tij. Mirëmbajtësi dyshohet se ka vjedhur bizhuteri të vogla ari dhe gurë të çmuar. Objektet në fjalë llogariten të kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove. Firma ligjore Art Recovery International, e cila është e specializuar në çështjet e riatdhesimit, postoi në Twitter duke komentuar se skulpturat e Parthenonit mund të mos jenë të sigurta në Mbretërinë e Bashkuar.