Auto & Moto

Rekord i ri, rriten shitjet globale të Toyota-s!

Shitjet globale të Toyota Motor Corp. u rritën 8.3% në prill-shtator nga një vit më parë në një rekord prej 5,596,183 automjetesh. Kjo e vë prodhuesin më të madh të makinave në botë në rrugën e duhur për një vit tjetër fitimesh të larta falë kërkesës së fuqishme dhe përmirësimit të kushteve të furnizimit. Prodhimi global në gjysmën e parë fiskal u rrit 10% në një rekord prej 5,738,126 njësi, duke përfshirë filialet Daihatsu Motor Co. dhe Hino Motors Ltd.

Shitjet e makinave të markave Toyota dhe Lexus u rritën 22% në Afrikë, më e larta në të gjitha rajonet, e ndjekur nga 17% në Lindjen e Mesme, 9.4% në Amerikën e Veriut dhe 7% në Evropë. Shitjet, megjithatë, ishin relativisht të dobëta në disa pjesë të Azisë, duke përjashtuar Japoninë, pjesërisht për shkak të ngadalësimeve ekonomike në vende të tilla si Tajlanda dhe Indonezia. Toyota ka nënshkruar një marrëveshje për të adoptuar teknologjinë e karikimit të automjeteve elektrike të Tesla-s nga viti 2025.

Ford Motor, General Motors dhe Nissan janë ndër prodhuesit e tjerë të automjeteve që kanë adoptuar sistemin e Tesla-s për mbushje që njihet si Standardi i Karikimit i Amerikës së Veriut (NACS). Toyota zbuloi gjithashtu së fundmi një makinë e cila kryen 1000 kilometra me një karikim të vetëm.

Këtë makinë, kjo kompani synon ta nxjerrë në treg deri në vitin 2026, pjesë e strategjisë së prodhuesit japonez të automjeteve për automjetet elektrike të mbështetura në teknologjinë e avancuar të baterive. Makina koncept LF-ZC, e cila debutoi në “Japan Mobility Show”, përdor bateri prizmatike, me performancë të lartë që arrijnë rreth dyfishin e diapazonit të EV-ve konvencionale ose rreth 1000 kilometra.