Rajoni

Rikthehen tensionet në veri të Kosovës, gaz lotsjellës në Zveçan!

Rikthehen tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe, ku kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut nuk lejohen nga serbët të hyjnë në zyrat e komunave që drejtojnë. Policia është aty për t’i ndihmuar të futen dhe pas një fundjave të qetë, forcat e rendit të Kosovës hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë të qytetarëve serbë para godinës së komunës së Zveçanit. Ata u lejuan nga trupat e KFOR-it.

Burime nga terreni raportojnë se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç është duke biseduar me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR në Zveçan. Rakiç tha se kërkesë e serbëve është që kryetari i ri i kësaj komune, Ilir Peci, të mos hyjë në godinën komunale. Po ashtu, i kërkoi KFOR-it që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga zona. Kujtojmë se më 26 maj, Policia e Kosovës ndërhyri me forcë për të garantuar hyrjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit, të zgjedhur më 23 prill në votimet e bojkotuara nga serbët e veriut.

Jo vetëm në Zveçan, edhe në Leposaviç e Zubin Potok ka qytetarë serbë të grumbulluar. Ata kërkojnë të mos lejohen kryetarët shqiptarë të komunave të hyjnë në zyrat komunale. Përfaqësues të Listës Serbe janë duke negociuar me KFOR-in edhe në Leposaviç. Ata shprehen kundër hyrjes në godinë të Lulzim Hetemit.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha për Radion Evropa e Lirë se do të marrë pjesë në një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe të tjerë përfaqësues diplomatikë. Zeqiri tha se takimi do të mbahet në orën 09:00, në zyrën e Bashkimit Europian në Prishtinë.

I pyetur nësë gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij, në objektin e Komunës së Zubin Potokut, Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, u shpreh se nuk mund ta dijë tani për tani.

Nuk e di nëse sot do të shkoj në zyrë. E kam agjendën shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës.

Ende nuk dihet nëse kryetarët e Leposaviçit e të Zveçanit do të marrin apo jo pjesë në takimin e thirrur nga ambasadori amerikan, Hovenier.