Celebrities Music Showbiz

Rita Ora nuk ndalet, “The Voice Australia” i siguron asaj një tjetër sukses!

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka kaluar një eksperiencë të gjatë si trajnere në talent-show “The Voice Australia”. Në fillim të këtij viti, ajo udhëtoi për në kontinentin e largët, për të qenë në rolin e një prej anëtarëve të jurisë në atë që është kthyer në spektaklin më të ndjekur të talenteve në Australi.

Mesa duket fama në rritje në Australi po i pasqyrohet edhe në rritjen e sukseseve të këngëve të saj në këtë kontinent. Ndonëse kënga e saj “Bang Bang” është publikuar në shkurt të këtij viti, ajo tashmë ka shënuar një hyrje të re në ‘Top 10’ këngët më të dëgjuara të momentit në iTunes, në Australi.

Kjo vjen edhe nga fakti se këtë këngë ajo e ka interpretuar live në një prej netëve të spektaklit “The Voice Australia”, i cili po transmetohet ndërkohë atje. Aktualisht “Bang Bang” është kënga e nëntë më e dëgjuar në Australi, teksa në ‘Top 100’ janë edhe këngët e saj “Let you love me” dhe “For you”, një bashkëpunim me këngëtarin Liam Payne, të gjitha këto këngë vijnë si hyrje të reja.

Karriera e Ritës ka shënuar një ngjitje në Australi që kur ajo u paraqit në spektaklin “The Voice Australia”, ndërkohë që edhe në ‘Top 100’ albumet më të dëgjuara të kontinentit australian, mund të gjendet albumi i saj “Phoenix” në vendin e 89-të si hyrje e re, edhe pse në fakt si album është publikuar tre vite më parë.

Rikujtojmë se, përveç suksesit në karrierën e saj muzikore, Rita Ora po arrin sukses dhe në sferën e saj të dashurisë. Mësohet se së fundmi, Rita dhe i dashuri i saj, regjisori Taika Waititi, tashmë po planifikojnë të martohen, sipas një burimi të afërt me ta. Çifti filluan të takohen me njëri-tjetrin në mars të këtij viti në Australi dhe tani po jetojnë në Los Angeles së bashku, me lidhjen e tyre që duket se sa vjen e po forcohet çdo ditë e më shumë.