I ftuar në “Live from Tirana” ishte gazetar i teknologjisë Brenton Bënja, për të folur rreth informacioneve më të fundit sa i përket Inteligjencës Artificiale, avantazhet dhe disavantazhet, si të mbrohemi nga kontenti i rremë, por dhe shumë këshilla të tjera të vlefshme…
Si përdoret Inteligjenca Artificiale për të manipuluar sjelljet e njeriut?
Ka shumë forma manipulimi, që dikur kanë qenë të vështira për t’u bërë ose bëheshin nga kompani specifike. Tani janë bërë shumë komerciale. ‘Deep fake’ është manipulimi i fotos ose videos me materialin që ti dëshiron, fjalë që ti do. Kjo është një nga ato lloj formash që AI po keqpërdoret. Tani është thuajse perfekte dhe mezi e dallon. Tani të gjithë kontentin njerëzit e konsumojnë nga smartphone dhe ti nuk je aq vigjilient sa ta shohësh mirë në ekran modifikimin. TikTok ka shkatërruar vëmendjen e njerëzve dhe ata kërkojnë kontent 10 sekonda. Sa vigjilent mund të tregohesh për 10 sekonda?!
Një tjetër rast është edhe manipulimi i medias…
Manipulimi i lajmeve, krijimi i kontentit me AI po shpërndahet shumë shpejt. Siç ishte dhe rasti i vathëve të Kamala Harris. Disa persona kanë prirje t’i besojnë këto lajme dhe me anë të inteligjencës artificiale shkruhen artikuj dhe të ‘bombardojnë’ ty që i beson këto. Kjo ndodh dhe tek rasti i reklamave. Inteligjenca Artificiale po përdoret për dërgimin e reklamave tek personi që është i interesuar për diçka specifike. Nëse dikush përshembull po kërkon për iPhone 16, por jo unë që jam përdorues i Android, dhe nëse ne të dy rrimë bashkë, Inteligjenca Artificiale e kupton që këto dy smartphone janë shokë me njëri-tjetrin dhe filloj e ‘bombardohem’ edhe unë me këto reklama.
Si të mbrohemi nga ky ‘bombardim’?
Nuk ka diçka konkrete për këtë. Ka dy mënyra si mund të mbrohemi në përgjithësi. E para që të jemi më të vëmendshëm dhe skeptikë ndaj asaj që shohim, të mos besojmë çdo gjë dhe të lexojmë në burime të besueshme. Pjesa tjetër i takon institucioneve.