Bota

Rusia sulmon Ukrainën me dronë kamikazë, 16 në pak orë!

Rusia lëshoi 16 dronë kamikazë në Ukrainë, një ditë pas dhjetëra raketave kundër infrastrukturës ukrainase. Këta dronë nga juglindja dhe veriu, u shkatërruan nga mbrojtja ajrore. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko tha se shtatë prej tyre ishin drejtuar për në kryeqytet. Pesë u shkatërruan brenda Kievit dhe dy, para se të arrinin shënjestrën.

Një ndërtesë administrative në Kiev u shkatërrua pjesërisht, sipas kreut të administratës ushtarake, Serhiy Popko, ndërsa tha se nuk ka informacione për viktima. Nga mesi i tetorit, Rusia ka nisur disa valë sulmesh me dronë e raketa kundër Ukrainës, duke i dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje vendeve anëtare të Aleancës, të furnizojnë me më shumë armë Ukrainën.

I bëj thirrje aleatëve, të bëjnë më shumë! Eshtë në të gjitha interesat tona të sigurisë që Ukraina të mbizotërojë dhe presidenti rus Vladimir Putin të mos fitojë! Ndoshta edhe më e rëndësishme është që Ukraina të marrë municion të mjaftueshëm për sistemet tashmë të vendosura. Nevoja për municion dhe pjesë këmbimi është shumë e madhe.

Në një fjalim para një grupi liderësh perëndimorë, javën e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy kërkoi një gamë të gjerë armësh e sistemesh të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar përpjekjet për të kundërshtuar pushtimin rus.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan gati 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake shtesë, duke përfshirë Sistemin e Mbrojtjes Ajrore Patriot, i cili ofron mbrojtje kundër avionëve, raketave lundruese e balistike.

Mbështetja ushtarake për Ukrainën është rruga më e shpejtë drejt paqes. Ne e dimë se shumica e luftërave përfundojnë në tryezën e bisedimeve, ndoshta edhe kjo luftë. Por, ne e dimë se ajo që mund të arrijë Ukraina në këto negociata varet pazgjidhshmërisht nga situata ushtarake.

Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt në atë që Putin e quan “operacion special ushtarak” kundër asaj që e percepton si “kërcënim për sigurinë ruse”. Ukraina dhe aleatët perëndimorë kanë denoncuar veprimet e Rusisë si një rrëmbim toke të stilit imperialist dhe i vunë sanksione në përpjekje për të ndërprerë fushatën. Lufta 11-mujore ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, dëboi miliona nga shtëpitë e tyre, la qytete në gërmadha e ka tronditur ekonominë globale, duke rritur çmimet e energjisë dhe ushqimeve.