Celebrities Music Showbiz

Shëndeti mbi të gjitha, Justin Bieber anulon sërish turneun botëror!

Turneu botëror i këngëtarit të njohur kanadez Justin Bieber ka përfunduar. Kanë mbetur 70 shfaqje të pazhvilluara. Bieber njoftoi anulimin e koncerteve të mbetura me një deklaratë të postuar në “Instastory” teksa shprehet se:

Në fillim të këtij viti, unë fola për betejën time me sindromën Ramsay-Hunt, ku fytyra ime ishte pjesërisht e paralizuar. Si rezultat i kësaj sëmundjeje, nuk munda të përfundoja Turneun e Amerikës së Veriut. Pasi pushova dhe u konsultova me mjekët, familjen dhe ekipin tim, shkova në Evropë në përpjekje për të vazhduar turin. Kam realizuar gjashtë shfaqje. Pas zbritjes nga skena, rraskapitja më pushtoi dhe kuptova se duhet ta bëj shëndetin tim prioritet tani. Kështu që për momentin do të bëj një pushim nga turneu. Do të jem mirë, por më duhet kohë për të pushuar dhe për t’u përmirësuar. Faleminderit për lutjet dhe mbështetjen tuaj gjatë gjithë kësaj! Ju dua të gjithëve!

Rikujtojmë, se turneu i Bieber filloi në shkurt 2022 dhe ishte planifikuar të përfundonte në mars të vitit 2023. Bieber zbuloi me anë të një videoje në rrjetet sociale pak kohë më parë se ishte diagnostikuar me sindromën e rrallë Ramsay Hunt e cila i paralizoi anën e djathtë të fytyrës së tij. Mesazhet inkurajuese ishin të shumta për yllin botëror nga fansat, familjarë dhe artistët e tjerë.

Sindroma Ramsay Hunt është shkaku i dytë më i zakonshëm i paralizës atraumatike periferike të fytyrës, pas paralizës së Bell-it, por pak më i rëndë. Megjithatë, ajo ndodh vetëm në rreth pesë në 100,000 njerëz. Ndërkaq, profesor Derick Wade, një ekspert në rehabilitimin neurologjik në Universitetin e Oxford Brookes, tha së fundmi për ‘Sky News’ se megjithëse shumica e njerëzve shërohen plotësisht, Bieber duket se ka një rast serioz të virusit.