Botë e Çuditshme

Shitet në ankand për një shifër rekord skeleti i dinozaurit 66 milionë vjeçar!

Skeleti më i madh në botë i një dinozauri, 66 milionë vjeçar, u shit në ankand për 6,6 milionë euro, një shifër rekord që theu çdo parashikim. Skeleti i dinozaurit të llojit Triceratops mendohej se do të shitej për maksimumi 1,5 milionë dollarë.

Megjithatë, shifra mbetet larg rekordit të vendosur nga skeleti i një Tiranosauri T-Rex, të shitur në një tjetër ankand për 31,8 milionë dollarë në shtator 2020. Skeleti i Triceratopsit u gjet në Dakotën e Jugut në vitin 2014. Mendohet që ky Tiranosaur jetonte në Laramidia, një kontinent i lashtë gjigant, që shtrihej nga Alaska në Meksikën e sotme.

Pas gërmimeve, mbetjet u dërguan për restaurim në Itali, ku arkeologët arritën të kuptonin përmasat e vërteta të tij. I pagëzuar “Big John”, vetëm kafka e dinozaurit është gati 3 metra e gjatë. Sipas Muzeut të Historisë së Natyrës në Mbretërinë e Bashkuar, kjo ka qenë një nga kafshët më të jashtëzakonshme që ka shkelur mbi Tokë.

Dinosaurët janë zhdukur shumë kohë përpara se asteroidi që mendohet se solli shfarosjen e tyre të godiste tokën, pretendojnë dy ekspertë nga Universiteti i Albany në New York. Një raport i ri para disa kohëve detajoi faktorët që po e shkatërronin mbijetesën e dinosaurëve përpara rënies së asteroidit që mendohet se i zhdukën 65 milionë vjet më parë. Profesori Gordon Gallup dhe një ish-student i tij, Michael Frederick, pohuan se bimët toksike dhe mekanizmat mbrojtës të dinozaurëve kanë luajtur rol të madh në rrugën drejt zhdukjes së kafshëve që dikur zotëronin Tokën.

Ndërkaq, ju rikujtojmë se kompania “Colossal” e gjenetistit George Church dhe sipërmarrësit Ben Lamm kanë njoftuar se kanë mbledhur 15 milionë dollarë për të ringjallur mamuthët, të zhdukur për më shumë se 4000 vjet. Qëllimi i ekipit të udhëhequr nga Church është që “të ketë foshnjat e para në katër apo gjashtë vitet e ardhshme”.