Bota

Shkon në 10 numri i anijeve që eksportojnë drithërat nga Ukraina!

Dy anije të tjera që transportonin mallra bujqësore janë nisur nga portet ukrainase të Detit të Zi, duke e çuar në 10 numrin e mjeteve që filluan lundrimin, në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht me Rusinë, për të zhbllokuar eksportet bujqësore ukrainase.

“Sacura, e cila lundroi nga Pivdeni, po transporton 11 mijë tonë sojë në Itali”, siç njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes, ndërsa Arizona, që nisi udhëtimin nga Chornomorsk, po transporton 48 mijë e 458 tonë misër në Iskenderun, në Turqinë jugore. Katër anijet që u nisën dje nga Ukraina, pritet të ankorohen sonte pranë Stambollit, sipas të njëjtit burim, i cili shtoi se “do të inspektohen nesër”.

Ministri i Infrastrukturës i Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, konfirmoi se të dyja anijet u larguan dhe shtoi se “Pivdeni, porti i tretë ukrainas i përfshirë në marrëveshje, tani është në gjendje funksionimi, si pjesë e nismës”. Më parë, Kubrakov pati thënë se hapja e portit të Pivdenit, i vendosur në qytetin Yuzhne do ta çonte kapacitetin total të eksportit të Ukrainës deri në 3 milion tonë në muaj.

Ukraina, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave, u detyrua të ndalonte pothuajse të gjitha dërgesat në vazhdën e pushtimit rus që nisi më 24 shkurt, për shkak të një bllokade nga flota ruse e Detit të Zi. Ndalimi i dërgesave të drithërave nga Ukraina kontribuoi në një rritje të çmimeve globale të ushqimeve dhe shkaktoi shqetësim në lidhje me vendet në Lindjen e Mesme e Afrikë që merrnin mjaftueshëm grurë dhe mallra të tjera për të ushqyer popullsinë e tyre.

Për të mbikëqyrur eksportet e drithit ukrainas, një qendër e përbashkët koordinimi në Stamboll nisi punën zyrtarisht më 27 korrik, e përbërë nga përfaqësues nga Turqia, OKB-ja, Rusia e Ukraina, për të mundësuar transportin e sigurt nga anijet tregtare të mallrave ushqimore komerciale dhe plehrave, nga tre portet ukrainase të Detit të Zi. Një ditë më parë, Papa Françesku përshëndeti rifillimin e eksporteve të grurit si “një shenjë shprese”, që tregoi se dialogu ishte i mundur për t’i dhënë fund luftës.