Bota

Shpërthimi në urën e Krimesë, Rusia rrit sigurinë!

Pas shpërthimit të djeshëm me tre viktima, Rusia rrit nivelin e sigurisë në të vetmen urë që e lidh me gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin ia aneksoi Ukrainës para 8 viteve. Presidenti Vladimir Putin urdhëroi Shërbimin Federal të Sigurisë, FSB që ta mbikëqyrë, ndërsa menjëherë nisën punimet për të rregulluar segmentet e dëmtuara.

Pamjet satelitore shfaqën tym dhe zjarr në pjesët e shkatërruara të urës, e hapur me shumë entuziazëm në vitin 2018. E cilësuar si “ndërtimi i shekullit” nga mediat ruse, me nisjen e luftës më 24 shkurt, Moska e konsideron “kyçe” për kalimin e mjeteve ushtarake, municioneve dhe forcave të armatosura për në jug të Ukrainës.

Meqë luan rol strategjik në luftë, për autoritetet ukrainase, ura përbën shënjestër legjitime dhe janë zotuar se do të rikthejnë kontrollin e Krimesë. Zyrtarët e Kievit dhanë sinjale se miratuan shpërthimin, por pa e konfirmuar se forcat e tyre qëndrojnë pas sulmit.

Në fjalimin e mbrëmshëm, presidenti Zelensky iu referua të djeshmes si “ditë kryesisht me diell në territorin e Ukrainës”.

Fatkeqësisht ka qenë me re në Krime. Por edhe atje ishte nxehtë.

Guvernatori pro-rus i Krimesë, Sergei Aksyonov, deklaroi:

Situata është e menaxhueshme, nuk është e pëlqyeshme, por jo fatale.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, i tha BBC-së se “pavarësisht se kush është përgjegjës për sulmin, kjo shënon fitore të madhe ukrainase dhe humbje të rëndë për Rusinë”.

Ura nuk u shkatërrua, por imazhi i Putinit u shkatërrua. Kjo është gjëja më e rëndësishme!

Më herët, rusët shpreheshin se ura është e sigurt nga kërcënimet ajrore, tokësore e ujore, pavarësisht afërsisë me territoret e kontrolluara nga Ukraina. Një komitet kundër-terrorizmit bëri të ditur se “dëmet u shkaktuan nga një kamion-bombë”. Disa orë pas shpërthimit, Rusia emëroi një komandant të ri për trupat në Ukrainë. Sergei Surovikin ka drejtuar forcat e Moskës në Siri dhe akuzohet për mbikëqyrjen e shkatërrimit të qytetit Alepo.

Pavarësisht përparimeve ukrainase, forcat ruse vazhdojnë të kontrollojnë pjesë të konsiderueshme të territorit të Ukrainës, përfshirë rajonin e centralit bërthamor të Zaporizhjas, më i madhi në Europë. Për të marrë energjinë e duhur për ftohjen e reaktorëve, ky central varet nga gjeneratorët.