Bota

Shqetësimet mbi rreziqet e Inteligjencës Artificiale, OKB i kushton një takim!

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara po planifikon një mbledhje për të adresuar rreziqet e mundshme të Inteligjencës Artificiale (IA) për paqen dhe sigurinë globale. Takimi i organizuar nga Mbretëria e Bashkuar synon të eksplorojë mundësitë e pafundme të IA-së, duke pranuar dhe rreziqe të rëndësishme, siç është përdorimi i mundshëm i kësaj teknologjie në armët autonome ose kontrollin bërthamor.

Gjatë presidencës britanike të Këshillit këtë muaj, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Barbara Woodward caktoi takimin, më 18 korrik. Pritet që aty të paraqiten prezantime nga ekspertë ndërkombëtarë të IA-së dhe nga shefi i OKB-së, Antonio Guterres, i cili së fundi ngriti shqetësime rreth ndikimit alarmues të IA-së së avancuar. Veçanërisht, theksoi shqetësimet e shprehura nga krijuesit e kësaj inteligjence.

Këta shkencëtarë dhe ekspertë i kanë bërë thirrje botës të veprojë, duke e deklaruar IA-në si një kërcënim ekzistencial për njerëzimin, në të njëjtin nivel me rrezikun e luftës bërthamore.

Guterres njoftoi planet për të emëruar një bord këshillues për Inteligjencën Artificiale në shtator, për të përgatitur iniciativat që OKB-ja mund të ndërmarrë.

Ndërkaq, Woodward shtoi se Mbretëria e Bashkuar dëshiron të inkurajojë “një qasje shumëpalëshe për të menaxhuar si mundësitë e mëdha, ashtu dhe rreziqet që Inteligjenca Artificiale ka për të gjithë ne.

Kjo do të kërkojë një përpjekje globale.

Ana e përfitimeve është e madhe, ndërsa përmendi potencialin e IA-së për të ndihmuar programet e zhvillimit të OKB-së, për të përmirësuar operacionet e ndihmës humanitare, për të ndihmuar operacionet paqeruajtëse dhe mbështetur parandalimin e konflikteve, përfshirë mbledhjen e analizimin e të dhënave.

Kjo mund të na ndihmojë potencialisht të mbyllim hendekun midis vendeve në zhvillim e vendeve të zhvilluara.

Në një seancë dëgjimore në Senatin Amerikan, në muajin maj, kreu i kompanisë së Inteligjencës Artificiale që prodhon ChatGPT-në tha se ndërhyrja e qeverisë do të jetë kritike për zbutjen e rreziqeve të sistemeve gjithnjë e më të fuqishme të IA-së, duke thënë se ndërsa kjo teknologji përparon, njerëzit janë të shqetësuar se si mund të ndryshojë jetën e tyre.

Ne jemi gjithashtu të shqetësuar.