Aktualitet Live From Tirana

Si është aktualisht situata e ekonomisë në vendin tonë? Azmi Stringa na tregon më shumë në TAR!

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të na folur rreth ekonomisë së vendit, rritjes së çmimeve por jo rrogave ishte i ftuar në studio eksperti i ekonomisë Azmi Stringa. Si është aktualisht situata e ekonomisë në Shqipëri?

Kushtet nuk kanë qenë të favorshme, sa kemi dalur nga pandemia dhe 2022 duhet të ishte viti i rimëkëmbjes por më pas u shfaqëm me rritjen e çmimeve si rezultat i kësaj. Edhe sepse bota u hap, njerëzit kishin kërkesa, pati probleme me çmimin e energjisë, transportit dhe këto sollën rritjen e çmimeve nga ana tjetër. Jemi duke u futur në fazën e luftës ruse në Ukrainë e cila po ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e çmimeve. Në Shqipëri në vija të përgjithshme ne kemi një problem. Shpërndarja e ekonomisë është e pabarabartë. 32-33% e shqiptarëve jetojnë në varfëri me 5.5 dollarë në ditë për person. Shqiptarët harxhojnë 40% të të ardhurave për ushqime dhe pije jo alkoolike ndërsa rajoni përdor 20% për këto produkte. Një pjesë e madhe e popullsisë jeton në varfëri ekstreme, Maqedonia e ka ulur nivelin e varfërisë ndërsa ne e kemi mbajtur konstante.

Janë një sërë faktorësh që ndikojnë, mbi të gjitha ne duhet të shohim modelin tonë ekonomik i cili nuk na jep më shumë se kaq. Të forcojmë kapacitetet tona, investimet në arsim, është gjë e jashtëzakonshme të fillohet që në parashkollor. Sot kemi nivelin më të lartë të të rinjve që nuk janë duke bërë asgjë. 1/3 e të rinjve në Shqipëri klasifikohet si i tillë, kjo gjë kërkon vëmendje të jashtëzakonshme. Le të krijojmë një sistem vlerash, një model ekonomik që shpërblen njohurinë, dijen dhe kapacitetet. Mundësitë e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme si dhe sfidat gjithashtu. Fatmirësisht ne si popull kursejmë, sepse nuk kemi besim as tek të tjerët. Qyteti me rëndësi ekonimike përveç Tiranës është Fieri, është më i madh se Durrësi në impakt aktiviteti ekonomik. Ndërkaq, një rrogë në Kukës është tek 100 mijë lekë të vjetra. Nëse duam të jemi konkurrues duhet të kemi demografi të shëndetshme, të mirëkualifikuar, të mbajmë më shumë njerëz. Njerëzit ikin nga Shqipëria kur nuk shohin optimizëm. Nëse i rikthejmë shpresën kemi bërë gjënë më të mirë.