Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Po sikur skuadra e ardhshme e Formula 1 të mos vinte nga Italia, Gjermania apo Britania… por nga kompania që po shet makina elektrike çdo sekondë? Po, flitet për BYD-në.
Gjiganti kinez i makinave elektrike, që tashmë ka kaluar Teslën në shitje globale, po përflitet seriozisht si kandidat për t’u futur në Formula 1. Dhe kur një kompani me miliarda euro në xhep fillon të shfaqet në takime me drejtuesit e F1, nuk duket më si thashethem i zakonshëm interneti. Ideja është e thjeshtë: BYD dëshiron më shumë famë globale. Sepse në Kinë është tashmë superfuqi, por Formula 1 është si karta VIP e famës ndërkombëtare. Thuhet se drejtues të lartë të kompanisë janë takuar me figura të rëndësishme të FIA, duke ndezur spekulimet se BYD po studion hyrjen si skuadra e 12-të e Formula 1.
Por hyrja nuk është si të hapësh një profil në Instagram. Kërkon qindra miliona euro, qindra inxhinierë dhe aq shumë dokumente sa të duket sikur po aplikon për vizë në pesë planete njëkohësisht. Megjithatë, për Formula 1 kjo do të ishte një lëvizje shumë interesante. Kina është një treg gjigant dhe tifozët atje po shtohen me shpejtësi. Një skuadër kineze do t’i jepte kampionatit një dimension krejt tjetër. Tani për tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Por nëse një ditë shihni një makinë BYD duke garuar krah Ferrarit dhe Mercedesit, mos u habisni. Formula 1 po bëhet gjithnjë e më globale dhe duket se Kina nuk dëshiron më të jetë vetëm spektator.