Aktualitet

Fatjon Bunjaku ndërroi jetë në aksident, AF Elbasani: Mendimet tona janë me familjen!

AF Elbasani shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë për vdekjen e parakohshme në një aksident rrugor në Kosovë pas mesnate të futbollistit Fatjon Bunjaku, duke thënë se klubi humbi më shumë se një lojtar.

Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë. Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin.

Federata e Kosovës në Futboll u shpreh “zemërthyer” për humbjen e Bunjakut. Mes reagimeve të shumta, një mesazh nga kreu i FSHF-së, Armand Duka:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatjon Bunjakut. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe një humbje e madhe, pasi bëhet fjalë për një djalë të ri, vetëm 22 vjeç, me një të ardhme të tërë përpara.

Fatjoni do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të.

I kualifikuar me verdheblutë për në turnetë europianë, në reagimin e fundit për tifozët e AF Elbasanit, Bunjaku shprehej se do të takoheshin së shpejti për aktivitetet e verës.

Faleminderit për këtë super mbështetje tifozat verdheblu. Do takohemi së shpejti edhe në arenën europiane, shkruante Fatjon Bunjaku në postimin e tij të fundit.

Veç AF Elbasanit, si futbollist ka qenë pjesë edhe e Malishevës, Lirisë, Gjilanit, Trepçës, FC Phoenix e Zmaj Makarska në Kroaci.