Bota Lifestyle

Telashe në horizont për Nusret, mbyllet restoranti i tij në Mykonos!

Një bllokim prej 48 orësh është vendosur në restorantin “Salt Bae” në Mykonos, ndaj kuzhinierit të njohur turk, Nusret Gökçe. Autoritetet konstatuan shkelje tatimore në lokalin e tij. Zyra e taksave kishte vizituar restorantin e Nusret në fillim të javës dhe kishte konstatuar se diçka nuk shkonte me funksionimin e biznesit, pra kishte dyshime se faturat nuk shpërndaheshin.

Mbrëmë gjatë kontrollit të autoriteteve në një tavolinë u konstatua se për një porosi rreth 1000 euro nuk ishte prerë asnjë faturë. Kështu që u vendos që biznesi të mbyllej për 48 orë. Restoranti pritet të rihapet mesditën e nesërme. Tashmë operatorët e biznesit po anulojnë të gjitha prenotimet për sot dhe nesër dhe në të njëjtën kohë nuk pranojnë prenotime të reja për të njëjtën periudhë.

Rikujtojmë, se sipas mediave vendase, restoranti i tij në këtë ishull grek i cili fokusohet ekskluzivisht tek hamburgerët, duket se nuk ka pasur një hapje të suksesshme. Deri tani klientët numërohen me gishta dhe atmosfera nuk është si në sezonin e kaluar. Nusret, i cili është shumë i aftë në marketingun dhe promovimin e imazhit të tij, ka nisur menjëherë të ndryshojë strategji për të afruar klientët.

Ai ka servirur një menu surprizë prej 28 eurosh, ofertë e cila do të jetë për disa ditë. Nusret tashmë ka filluar të postojë foto dhe video në rrjetet sociale, por sipas një klienti që shkoi kohët e fundit, në restorant kishte rreth dhjetë njerëz në orën nëntë të mbrëmjes. Klienti tha se i duhet shumë punë për të mbushur sipërmarrjen e tij të re.