Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Film & Tv

“Tenet” shumë zhurmë për asgjë. Mezi presim Oppenheimer…Kritikë

Paradoksi i suksesit të filmave të Christopher Nolan është i denjë për të qënë një film i Christopher Nolan. Filmat e tij, si copëzat e një formuese janë punë të menduara imtësisht, një lloj spektakli labirintesh. Janë shumë më inteligjent sesa filmat me superheronj, por kanë një sukses të ngjashëm.

“Më pëlqejnë filmat që të bëjnë të mendosh.” – ka thënë ai në një intervistë kohë më parë. Filmat e Nolan-it zënë një vend të tyrin të mëvetshëm në kulturën Pop, regjisori është i vetmi në Hollywood që ka provuar dhe ja ka dalë të kthejë një film çantash për fëmijë si “Batman” në një sukses komercial po aq sa të vlerësuar nga kritika – “The Dark Knight”. Kjo e bën edhe më të papëlqyshme situatën e ardhjes së “Tenet”, pas një karriere që ka parë vetëm ngritje dhe pas një pritjeje të gjatë për të, filmi i ri i regjisorit të suksesshëm është një paçavure.

Në letër sidoqoftë “Tenet” është i paparë. Protagonisti është Protagonisti (John David Washington), një agjent i CIA-s i cili e gjen veten në kërkim të një trafikanti armësh të pazakonta; armë që qëllojnë plumba që udhëtojnë në kohë (fut emojin me trurin që shpërthen). Quhet inversion dhe me hardware-in e duhur mund ta bësh me çdo gjë, makina, njerëz etj.

Inversioni është pika fokale e filmit, fatkeqësisht edhe vorbulla që nis ta bëj filmin jo në nivelin e atyre që kemi parë nga Nolan. Fatkeqsisht termi nuk shpjegohet;

“Mos u mundo ta kuptosh” – I thonë Protagonistit. Filmi nis me një skenë aksioni epike ku ndeshen një personazh normal dhe një i invertuar, një skenë që i vjedh filmit zhvillimin për të cilin ka shumë nevojë. Skenat e aksionit janë të shpërndara larg nga njëra-tjetra, ndërsa ato të folura janë si të luajtura nga robotë më shumë se njerëz prej mishi, kockash e ndjenjash. Në dy orët e gjysmë të filmit, uron për diçka tërheqëse që do ndodhë por më kot. Sidoqoftë Robert Pattinson, i cili luan shoqëruesin e Protagonistit, Neil, është i vendosur aq mirë në rol, fatkeqsia e vetme është fakti që e shohim pak. (Po ja do e shohim te Batman, dhe mendoj se do jetë një super Batman). Ndryshe ndodh me Elizabeth Debicki, e cila ka një rol kyç në konfliktin e filmit, por nuk ngjit, megjithë përpjekjet e historisë për ta shpërfaqur gjithandej – alla Bond Girl style – ajo thjesht nuk ngjit.

Dhe ky është zhgënjimi më i madh me “Tenet”, nevoja e tij për të qënë një film i zgjuar spiunazhi i gjatë dy sahat e gjysmë. Mbase sepse Nolan nuk investohet mjaftueshëm për ta bërë atë të tillë; kostumografia, aksesorët e ‘çuditshëm’, personazhe që shkojnë në limite të papërshkrueshme dhe prapë duken ‘cool’. Problemi është që thelbi i filmit është aq i vështirë për tu shkoqur saqë të merr vëmendjen nga çdo skenë, përqëndrimin e ke gjetkë. Ose mbase problemi është që ai të inkurajon të përjetosh gjëra pa menduar për to sepse nuk ka thuajse asnjë spirancë emocionale.

“Tenet” është një lesh e li po jo nga ato me të cilët jemi mësuar nga Christopher Nolan, kur dalin titrat je komplet duke menduar çfarë leshin ndodhi, por jo për mirë, fundja nuk ke kuptuar asgjë. Një regjisori të madh sigurisht i lejohet të gabojë shto këtu edhe historinë e komplikuar së publikimit të filmit. Për muaj të tërë Hollywood-i e shtyu daljen në kinema për shkak të pandemisë së COVID-19, dhe kur doli nuk kishte fare fuqinë e, le të themi një tjetër filmi me të njejtin fat shtyrjeje “No Time To Die”. Ambiciozi “Tenet” nuk pati fatin e “Inception” i cili u kthye thuajse menjëherë në një film kult pavarësisht se ishte po aq i komplikuar në gjenezë.

Nolan ndërkohë është i gjithi i investuar në projektin e tij më të ri i cili ka në qendër njeriun mbas bombës atomike – Oppenheimer. Deri më tani dimë se Cillian Murphy (për të gjashtën herë në një film të Nolan)është shkencëtari famëkeq J. Robert Oppenheimer, filmi del në kinema më 2023, ka gjysmën e buxhetit të “Tenet” (100 milion $) dhe është një film biografik si thuajse ansjë nga filmat e regjisorit (Dunkirk është i vetmi bazuar në ngjarje reale, dhe deri diku Tesla tek “The Prestige”).

Të tjerë aktorë që janë konfirmuar së fundmi janë Robert Downey Jr dhe Matt Damon (asnjëri prej të dyve nuk ka qënë më parë në një film të Nolan). Bashkëshortja e Oppenheimer sipas Deadline do të interpretohet nga Emily Blunt, duke e kthyer kështu filmin në një ‘All Stars’. Ky është filmi i parë që Nolan nuk bën në ‘shtëpi’. Që prej 2002, Warner Bros. (Insomnia) ishte studio që prodhonte të gjithë filmat e Nolan.

Konflikti mes tyre nisi me premierën e “Tenet”, kur studio vendosi që për shkak të mbylljes së sallave nga Pandemia, filmi të dilte paralelisht edhe në HBO Max për 31 ditë, një vendim për të cilin Nolan ka qënë publikisht kundër. Studio që po prodhon filmin e tij të ri është Universal.

Hoyte Van Hoytema rikthehet për të katërtën herë në një film të Nolan si drejtor fotografie pas “Interstellar”, “Dunkirk” dhe “Tenet”. “Dunkirk” është i vetmi film i tyre që ka marrë një nominim në çmimet Oscar për Fotografinë më të mirë. Hoytema është shprehur:

Kur punoj me të është e vetmja herë që ndihem sikur po bëj një film, është shumë i përfshirë dhe inxhinierik. Askush nuk punon si ai në film, edhe pse kjo nuk më ndihmon fare në punën time, por është e vërtetë.

Hoytema veç Universit-Nolan ka punuar tek “Let the Right One In”, “Tinker Tailor Soldier Spy” dhe “Her”.

Tek “Tenet” po ashtu Nolan ndërroi montazhier, duke sjellë Jennifer Lame. Edhe pse bashkëpunëtori tij jetë-gjatë, Lee Smith ishte nominuar për Oscar tek “The Dark Knight”, edhe pse fitoi Oscar-in tek “Dunkirk”, Lame do të montojë edhe Oppenheimer. Po ashtu për herë të dytë (mbas “Tenet”) kolona zanore do të dalë nga mendja dhe duart Ludwig Göranson (Fitues i Oscar-it për “Black Panther”, fitues i Grammy-t për “This is America” me Childish Gambinon, i njohur për muzikën fantastike në filma si “Creed”, Slice” dhe “Venom”). Mesa duket kompozitori Hans Zimmer që bënte muzikën e çdo filmi të Nolan që në 2005 kishte nevojë për pushim nga ai – Zimmer së fundmi ka kompozuar kolonën zanore të “Dune” të Denis Villeneuve.

Skenari i filmi bazohet në librin fitues të çmimit Pulitzer “American Prometheus: The Triump and Tragedy of J. Robert Oppenheimer” me autor Kai Bird dhe Martin J. Sherwin botuar në 2005. Përshtatja po bëhet nga vetë regjisori.

Sinopsi i librit në Amazon thotë:

J. Robert Oppenheimer është një nga ikonat e shekullit të XX, një fizikant briliant i cili arriti të krijonte bombën atomike për kombin e tij në luftë, për ta gjetur veten më pas në përballje të pasojave shkatërrimtare të zbulimit të tij shkencor. Në këtë biografi të jashtëzakonshme, punë e njëzetepesë viteve, Kai Bird dhe Martin Sherwin arrijnë të kapin jetën e tij dhe kohët kur jetoi, nga fillimet e karrierës deri tek roli  kyç që pati gjatë Luftës së Ftohtë. Ky libër është një nga biografitë më të mira, informues dhe gozhdues.

Na ngelet të presim Korrikun e 2023. Dhe kur vjen puna tek Nolan, pavarësisht “Tenet”, presim me qejf!