Film & Tv

“Downizing
“/Ekuivalenti i firmave piramidale të maskuara si Crypto Exchange
!

Diku pashë në TikTok një nga ato postimet “sy-hapëse”, ku thuhej se nëse do të hapësh një biznes të suksesshëm, fillo duke monetizuar produktet për fëmijë, ato farmaceutike ose dëshirën e njerëzve të varfër për t’u pasuruar shpejt. Nëse do të kishte një ekuivalent filmik për firmat piramidale të maskuara si crypto exchange — të cilat marrosën shqiptarët kohët e fundit — ai do të ishte filmi Downsizing i Alexander Payne.

Një skenar absurd dhe gjenial, ku zgjidhja e mbipopullimit, shterimit të burimeve dhe agonisë moderne të të mos paturit mjaftueshëm para për të jetuar “jetën e ëndrrave”, vjen falë “minimizimit” të njerëzve në 0.03% të masës së tyre natyrale.

Pasi një shkencëtar arrin të zvogëlojë veten, bashkëshorten dhe një grup njerëzish që quhen “kolonia e parë”, gjatë viteve në vijim gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin të zvogëlohen dhe të jetojnë në komunitete miniaturë. Matt Damon luan rolin e Paul Safranek, një burrë që la shkollën e mjekësisë për t’u kujdesur për nënën e tij të sëmurë. Borxh pas borxhi, kredi pas kredie, ai dhe e shoqja vendosin të “minimizohen”. Por vendimi i çiftit nuk vjen për të shpëtuar planetin — por për të shpëtuar veten.

Në këto komunitete të vogla, thuajse të gjithë e arrijnë ëndrrën amerikane: një vilë gjigande, një pishinë luksoze dhe para mjaftueshëm për të mos punuar më. Ama, kur Paul zgjohet pas procedurës, zbulon se e shoqja e ka braktisur dhe ka vendosur të qëndrojë “e madhe”. I vetëm dhe i vogël, Paul e gjen veten në vilën e tij madhështore, ku duket sikur ëndrra e para 10 minutash nuk paskërka më kuptim.

Payne luan mjeshtërisht me gatishmërinë e njerëzve për të bërë gjithçka — edhe nëse kjo do të thotë të zvogëlohen në 0.03% të masës trupore — për të jetuar “jetën e mirë” në mënyrë subjektive. Sado satirë sociale të jetë, Downsizingarrin të pikturojë një metaforë utopike të realitetit tonë. Deri më sot, ne kemi arritur vetëm në pikën e ndryshimit të pamjes si një kartëvizitë me të cilën mund të hapim dyer të ndryshme.

Nëse kjo tingëllon e paqartë, po e thjeshtëzoj: Për të gjetur një burrë të suksesshëm që siguron një jetë në një vilë gjigande, në shoqërinë e sotme gratë (dhe burrat) alterojnë veten. Gjatësia për burrat është bërë simbol dominimi — në biznes dhe romancë — ndaj shumë prej tyre vendosin të kryejnë operacione për zgjatjen e gjunjve. Për të arritur një post ëndrrash apo një rrogë më të mirë, ne ndryshojmë dhe transformojmë veten çdo ditë, në karakter, sjellje, parime. Heqim e shtojmë cilësi, bëjmë kompromise që mezi i kapërdijmë — njësoj si kompromisi i “minimizimit” për t’u pasuruar që portretizohet në film.

Një film i mirë duhet të ngjallë debat, dilema dhe këndvështrime të ndryshme. Downsizing i arrin të trija me sukses, sidomos pas prezantimit të Ngoc Lan Tran — një protestuese politike që, si ndëshkim nga shteti i saj, është “minimizuar” pa dëshirë. Ajo bëhet busulla morale e Paul-it, duke e ndihmuar të rigjejë kuptimin e jetës vetëm përmes shembullit të saj të heshtur. Ngoc Lan e kalon ditën duke marrë ushqim nga shtëpitë ku pastron për të mbijetuar, dhe e shpërndan më pas në komunitetet e varfra të minimizuara.

Pa dashur t’ju zbuloj rrjedhën e ngjarjeve, nëse e lexoni këtë kritikë përpara se të shihni filmin, pyesni veten:

A do të zvogëlohesha përgjithmonë, nëse kjo do të thonte se do të jetoja një jetë luksoze?