Auto & Moto

Tesla do të shkurtojë numrin e punonjësve dhe kjo jo pa një qëllim!

Tesla ka regjistruar rënie tremujore të dërgesave për herë të parë në thuajse katër vjet. Aksionet e Tesla ranë me 5.7% në fillim të tregtimit, duke iu shtuar humbjes së vlerës prej thuajse 30% të regjistruar këtë vit. Tesla dërgoi rreth 386.810 makina në tre muaj deri më 31 mars, në rënie prej 20.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në periudhën e analizuar, Tesla prodhoi 433.371 makina. Sipas 18 analistëve të anketuar nga Visible Alpha, Wall Street priste që Tesla të dërgonte mesatarisht 454.200 automjete.

Dërgesat u tkurrën me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Hera e fundit që Tesla pati regjistruar rënie të shitjeve ishte në tremujorin e dytë 2020, kur pandemia Covid-19 detyroi shtëpinë automobilistike të ndalte prodhimin. Kompania deklaroi se rënia e vëllimit vjen pjesërisht për shkak të përpjekjeve për të përgatitur fabrikën në Fremont në Kaliforni që të rrisë prodhimin e Model 3 të azhurnuar dhe mbylljes së fabrikës në Berlin, si rezultat i devijimeve të dërgesave të shkaktuara nga konflikti në Detin e Kuq.

Tesla po shkurton 10% të fuqisë punëtore globale në një përpjekje për të ulur kostot dhe për të rritur produktivitetin. Prodhuesi i automjeteve elektrike, i themeluar dhe drejtuar nga Elon Musk, ende nuk ka komentuar rreth lajmeve se do të largojë rreth 15 mijë persona nga puna. Kompania e cila kishte më shumë se 140 mijë persona staf në fund të vitit 2023, ka qenë duke luftuar me rënien e kërkesave për automjetet elektrike.

Sfidat kanë përfshirë edhe uljen e çmimeve të modeleve disa herë për të joshur blerësit, por përpjekjet e saj janë penguar nga konkurrenca e fortë, kryesisht ajo kineze. Musk ka njoftuar se tashmë po e përgatit kompaninë për një fazë tjetër të ardhshme të rritjes dhe po e shikon mundësi për reduktimin e kostove dhe rritjen e produktivitetit. “Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ne kemi bërë një rishikim të plotë dhe kemi marrë vendimin e vështirë për të reduktuar numrin e punonjësve në më shumë se 10 për qind në të gjithë botën”-tha Musk.