Auto & Moto

Tesla hap stacionin e saj të parë të karikimit për makinat e markave të tjera!

Tesla ka hapur stacionin e saj të parë të karikimit V4 Supercharger për makinat e markave të tjera. Ky stacion ndodhet në Hardrwijk të Holandës dhe ka të instaluar 16 karikues V4 Supercharger. Edhe pse këta karikues kanë kapacitet prej 350kW, ato fillimisht do të kenë kufizim prej 250kW dhe tani kompania konfirmoi se stacioni i ri është i hapur për makinat elektrike të të gjithë markave të tjera.

Deri më tani reagimet e përdoruesve fokusohen në faktin se V4 vjen me kabllo më të gjata të karikimit. Tesla konfirmoi se kabllot kanë gjatësi prej 2.9 deri në 3 metra, e që janë deri në 1.06 metra më të gjata se karikuesit V3 Supercharger. Dizajni i kabinës është komplet i ri, nuk ka hapësirë në mes të saj dhe mbajtësi i kabllos është vendosur anash kabinës.

V4-shi ka fuqi prej 615 ampera deri në 1,000 voltë DC dhe teorikisht kjo do të thotë se V4-shi ka kapacitet prej 615kW. Në Evropë, V4-shi vjen me lidhësin CCS2, ndërsa në Amerikën Veriore ajo është e pajisur me Magic Dock, i cili ndryshon automatikisht midis lidhësit CCS2 dhe Tesla (NACS) në varësi të makinës që karikohet. Me V4, koha e karikimit është dukshëm më e shpejtë dhe me 16 kabina në Harderwijk, çdo pritje nuk duhet të jetë problem.

Ndërkaq, rikujtojmë se Walmart po kërkon të zgjerojë disponueshmërinë e stacioneve të karikimit të shpejtë në pikat e tij deri në vitin 2030. Sipas mediave të huaja, gjiganti i shitjeve me pakicë thotë se shtrirja e gjerë gjeografike do ta bëjë karikimin e automjeteve elektrike të qasshëm për më shumë amerikanë, ndërkohë që u jep shoferëve më shumë arsye për të vizituar dyqanet e tij.