Auto & Moto

Tesla ul çmimet për makinat e saj elektrike në Evropë, Izrael dhe Singapor!

Së fundmi, Tesla ka ulur çmimet për makinat e saj elektrike në Evropë, Izrael dhe Singapor, duke zgjeruar serinë e zbritjeve botërore të cilën e filloi në Kinë. Javën e kaluar, Tesla raportoi për një rritje prej vetëm 4$ në dërgesat e saj për tremujorin e parë në krahasim me tremujorin e kaluar, pavarësisht ofrimit të zbritjeve në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Australi dhe Kore të Jugut, me synimin e vetëm të nxitjes së kërkesave.

Disa ditë pas publikimit të të dhënave dëshpëruese të dërgesave, Tesla njoftoi edhe zbritjen e pestë të çmimit të makinave të saj në tregun amerikan, teksa Uashingtoni zyrtar përgatitet që të prezantojë standarde më të ashpra që do të kufizojnë kreditë tatimore për makinat elektrike. Tesla tha se ka zbritur çmimet në disa tregje evropiane, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën për shkak të rritjes dhe përmirësimit në kapacitetin e saj të prodhimit.

Në tregun gjerman, Tesla ka ulur çmimin e automjeteve të saj Model 3 dhe Model Y nga 4.5 deri në 9.8%. Në Singapor, çmimet për Model 3 dhe Model Y kishin një rënie prej 4.3% dhe 5% ndërsa në tregun e saj në Izrael, Tesla çmimin e Model 3 e uli në një shifër prej 25%.

Tesla ka hapur stacionin e saj të parë të karikimit V4 Supercharger për makinat e markave të tjera. Ky stacion ndodhet në Hardrwijk të Holandës dhe ka të instaluar 16 karikues V4 Supercharger. Edhe pse këta karikues kanë kapacitet prej 350kW, ato fillimisht do të kenë kufizim prej 250kW dhe tani kompania konfirmoi se stacioni i ri është i hapur për makinat elektrike të të gjithë markave të tjera.