Film & Tv

“The Shrink Next Door”; Po sikur psikologu juaj të donte t’iu zhvaste, në të gjitha kuptimet, çfarë do të bënit?! Kritikë.

Psikologu. Terapisti. Fjala e parë shumë më e njohur, e dyta më pak, por filmat, librat, rrjetet sociale po bëjnë të tyren që edhe e dyta të njihet po aq. Nuk di të them ndryshimin mes të dyve, më shumë sesa di që të dy duhet të kenë një licencë. Të dy ulen përballë teje, ndërsa ti je duke i hapur zorrët e barkut, diçka që s’do ta bëje as me gruan, shokun, apo kolegen tënde moskokëçarëse. Megjithatë gjithmonë e më shumë stigma e të shkuarit në nje seancë terapie, apo të paturit të një psikologu po zbutet. Millenialët e pranojnë më me lehtësi nevojën e tyre për të folur me dikë i cili nuk do t’i gjykojë, por do i japë një dorë për të kuptuar sfidat e jetës – kur ja ke nevojën doemos. Kjo në perëndim është, ndërkaq një praktikë, normale (edhe pse fjala normale nuk është e duhura në asnjë drejtim). Problemi me terapistët, jo me të gjithë terapistët, por me disa prej tyre, shumë pak prej tyre, ata që e dhjesin për të gjithë, ështe se nuk ruajnë rregullin numër një dhe atë më të rëndësishmin në raportin psikolog-pacient, konfidencialitetin. Nuk mund t’iu them them sa shpesh më ka ndodhur të dëgjoj sekretet e botës të cilat kanë dalë nga gojët e atyre që do duhet ta kishin të kyçur, edhe sikur ti kërkohej nga ai lart…

Njëri prej këtyre shrink-ëve (psikolog) në New York vite më parë, shkoi përtej. Aq përtej sa historia ime me psikologë shqiptarë që bëjnë dallavere tingëllon bukë e djathë.

Apple TV+ bën bashkë dy yjet e “Anchorman”, njëkohësisht dy legjenda të kinemasë & komedisë amerikane, Paul Rudd dhe Will Ferrell, në miniserialin “The Shrink Next Door”, e cila njësoj si Anchorman i ka rrënjët në vitet 80, por ndryshe nga Anchorman funksionon shumë më pak.

Rrënjët e “The Shrink Next Door” ndërkaq, janë tek një podcast i gazetarit të New York Times – Joe Nocera. Nuk do ta besoni, por shumica e historive që kthehen në filma e seriale 5 vitet e fundit e kanë pikënisjen nga një Podcast. Protagonisti i këtij podcasti është Ike Herschkopf (Rudd), një psikiatër i cili për tre dekada shfrytëzon pacientin e tij të pasur Marty Markowitz (Ferrell), fillimisht duke u bërë shoku i tij i ngushtë, më pas ‘vëllai’, parneri i biznesit, deri tek marrja e shtëpisë së pushimeve të Martyt në Hamptons, dhe përdorimin e këtij të fundit si shërbëtor. Dr. Ike është aq i zoti për të aneksuar çdo njeri në jetën e Martyt që sugjeron se ai (Dr.Ike) mund të jetë duke shfrytëzuar pacientin e tij, duke u shndërruar në një predator të frikshëm, i cili përdor më të dobëtit në një moment lëshimi të rëndë emocional.

I përshtatur nga Georgia Pritchett (Veep, Succession) dhe fillimisht me regji të bashkëpunëtorit në shumë raste të Rudd – Micheal Showalter, Shrink kërkon të jetë një komedi e zezë, por më shumë se komedi është thjesht e zezë, e trishtë, e jo rrallë herë përsëritëse. (Një cilësi e jo pak serialeve të AppleTv+). Mbas një prologu të shkurtër të fundit të hidhur të tyre në 2010, historia nis në rrugët e Manhattanit të 1982. Marty ka trashëguar një biznes metrazhesh si edhe pasuri të tjera nga prindërit e tij të kamur. Gjëndja e tij emocionale është e rënduar, pasi sikur të mos mjaftonte humbja e prindërve, tashmë barra e biznesit do i binte atij, dhe problemet kishin nisur me konfliktet e pronësisë me xhaxhain. Shpejt tregohet pamundësia e tij për t’i bërë ballë klientëve të pakënaqur, dhe karakteri i tij prej një burri të mefshtë. Motra e tij Phyllis (Kathryn Hahn – një tjetër yll Anchorman) e inkurajon që të flasë me një psikolog që ja kishin rekomanduar. Ku ta dinte ajo se po e çonte cjapin te kasapi me duart e saj, dhe shumë shpejt nuk do të kishte më asnjë kontakt me të vëllanë.

Që në seancën e tyre të parë, Ike i thotë Marty-t se mos do ishte mirë që njerzit ta quanin “Shënjestra Marty” (Easy Mark Markowitz) sepse sipas Ike, të gjithë përfitojnë prej tij. Nis ta bëjë për vete duke e mësuar si të jetë zot i vetes, fillimisht duke hequr qafe një ish të dashur që pretendonte që Marty ti paguante pushimet e saj të luksit, edhe pse ishin ndarë. Pak e nga pak, Ike bëhet bëhet i pazëvendeshueshëm në jetën e Martyt, duke e afruar atë me bashkëshorten Bonnie (Casey Wilson) e duke e quajtur familje. Bonnie fillimisht është kritike ndaj bashkëshortit të saj, i cili dalëngadalë po e humbet fillin e nuk po kupton ku është kufiri që nuk duhet kaluar.

Të dy komikët kanë punuar më herët në filma dramatik, e në përgjithësi, aktorët komikë arrijnë të pjekin interpretime fantastike sa herë u është dashur të varin në gozhdë këmishën e tyre të karagjozit. Sidoqoftë historia e cila do i rrinte një thrilleri-psikologjik merr trajta të çuditshme duke u dukur si një det tallaz tallaze emocionesh të bëra çorap. Kjo e bën historinë aq ndjellëse të podcastit, historinë e vërtetë, të mos arrijë të tërheqë publikun me po të njëjtin intensitet.

Edhe pse dy seritë e para kanë zhvillime të cilat të bëjnë të kërkosh më tepër, vazhdimi është një lloj monotonie duke i kthyer personazhet në gati gati karikatura të atyre që kanë luajtur më herët. Një histori që varet kaq shumë në 8 episode, mund të ishte bërë me ritëm tjetër në vetëm 4.

Phyllis është i vetmi personazh që duket njerëzore në të gjithë spektrin e emocioneve njerëzore.

Të dorëzohesh është superfuqia jote Marty

– i thotë ajo në një nga skenat më prekëse të “The Shrink Next Door” i cili kishte gjithë potencialin për të qënë fantastik, por si shumica e prodhimeve te AppleTV+, është totalisht shumë zhurmë për asgjë.

Ajo që ju rekomandoj fuqimisht është të dëgjoni podcastin, i cili do t’ju lërë pa fjalë. Detajet e shfrytëzimit të psikologut karshi pacientit të tij janë pak të thuash rrënqethëse, aq më shumë kur kupton që Marty nuk ishte i vetmi, dhe që çështja gjyqësore e këtij të fundit ndaj Ike ishte aq e gjatë sa e bëri të humbiste gati gjysmën e jetës së tij.

Ndaj, kur të mendoni të shkoni në një terapist, mendohuni mirë. Kontrolloni referencat tuaja.

“The Shrink Next Door” është në AppleTV+.